Haziri kërkon ndërprerjen e grevës në shkollat e Gjilanit
17 janar 2019
| 13:47
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka vizituar grevistët në shkollën fillore “Sadulla Brestovci” dhe edukatoret e çerdhes “Ardhmëria II”.
Me këtë rast, Haziri ka kërkuar ndërprerjen e grevës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës përmbushjen e të gjitha kërkesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).
“Kërkesat e grevistëve janë të drejta, por humbja e mësimit është humbje e madhe për nxënësit. Prandaj, kërkoj nga SBAShK-u që ta ndërpresë grevën dhe nxënësit t’i kthehen procesit të rregullt mësimor. Por, kërkesa ime drejtuar Qeverisë është që t’i përmbush të gjitha kërkesat e Sindikatës”, ka thënë Haziri.
/Epoka e re/