Haziri: Kjo qeveri nuk po i shtynë përpara proceset e mëdha
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë të premten se kjo parti është për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se kryeministri dhe kryeparlamentari duhet ta shtyjnë përpara këtë agjendë.
“Natyrisht se prej fillimit kemi qenë për. Ky nuk është problemi i LDK-së si partia më e madhe në vend dhe partia opozitare më aktive, por është problem i partnerëve të koalicionit. Le ta shtyjnë përpara kryeministri dhe kryeparlamentari këtë agjendë. Ne jemi në Kuvend”, është shprehur Haziri. Kurse sa i përket iniciativës se disa deputetëve për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ai ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Sipas Hazirit, Kosova nuk mund të kthehet prapa në vitin 2007. “Nuk jam duke parë asnjë mundësi për të ndodhur shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Kosova nuk ka nevojë të kthehet mbrapa në vitin 2007. Por, Kosova ka nevojë të ecë përpara, në mënyrë që t’i zë së paku hapat e shteteve në rajon sa iu përket integrimeve evropiane dhe integrimit në NATO”, ka theksuar ai.
Haziri ka vlerësuar se qeveria Haradinaj nuk është duke u marrë me problemet kryesore të Kosovës dhe, sipas tij, ka stagnim të të gjitha proceseve politike në vend.
Haziri ka deklaruar se Kosova ka nevojë për zgjidhjen e problemit të liberalizimit të vizave, avancimin e FSK-së në Forca të Armatosura dhe për sundimin e ligjit, në mënyrë që të krijohet rruga për zhvillim ekonomik. Por, sipas tij, kjo qeveri nuk është duke i shtyrë përpara proceset e mëdha. Haziri ka thënë se nëse partnerët e koalicionit qeverisës nuk mund të marrin vendime të mëdha dhe të çojnë rëndë siç kanë premtuar, atëherë duhet të hapin rrugë.
“Është momenti i fundit të aktivizohet klasa politike, institucionet, në veçanti opozita për të dalë nga kjo mjegull artificiale që po krijohet nga politikanët në Prishtinë në mënyrë të padrejtë”, ka thënë Haziri.
“Epoka e re”: Z. Haziri, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës?
Haziri: Në fakt, zhvillimet e fundit kanë të bëjnë me përsëritje të zhvillimeve të muajit dhjetor. Nga nata befasuese e 22 dhjetorit kemi një stagnim të të gjitha proceseve politike në Kosovë. Qeveria nuk është duke u marrë me problemet kryesore të Kosovës, por me problemet administrative të ekzekutivit. Ky vend ka nevojë për zgjidhjen e problemit të liberalizimit të vizave, avancimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Republikës, dialogun, sundimin e ligjit dhe çështje të tjera, në mënyrë që të krijohet rruga për zhvillim ekonomik.
“Epoka e re”: Besoni në kapacitetet e kësaj qeverie se mund t’iu jep zgjidhje këtyre çështjeve?
Haziri: Projektligji për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi është në Kuvend në pritje, sikurse që është edhe peticioni i 40 deputetëve për rishikimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Po ashtu, në sirtar është edhe Ligji për Forcat e Armatosura. Prandaj të gjitha proceset kryesore janë në stagnim. Është në kërcënim serioz stabiliteti i vendit pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë. Natyrisht dialogu është suspenduar njëanshëm nga pala serbe. Asnjë proces i rëndësishëm për këtë vend nuk po ecën. Dhe shpresa e qytetarëve të Kosovës për një dritë në fund të tunelit po shuhet. Është momenti i fundit të aktivizohet klasa politike, institucionet, në veçanti opozita për të dalë nga kjo mjegull artificiale që po krijohet nga politikanët në Prishtinë në mënyrë të padrejtë.
“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëhet konkretisht? Më herët opozita ka paralajmëruar ngritjen e një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë Hardinaj. Do të ndodhë një gjë e tillë në muajt në vijim?
Haziri: Grupi parlamentari i Lidhjes Demokratike të Kosovës është jashtëzakonisht aktiv në çështjet që lidhen me proceset për të cilat folëm deri më tani. Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm dhe strukturat e LDK-së janë unike në progresin që duhet ta ketë Kosova. Gjithashtu, jemi të interesuar ta dinamizojmë jetën politike në Kosovë, deri në atë masë në mënyrë që Qeveria ose të marrë veprime konkrete lidhur me proceset e rëndësishme ose të lëshojë rrugë. Edhe mocioni mbetet një prej opsioneve. Por, mocioni tash është çështje e vlerësimit të opozitës, sepse ne së bashku i kemi 59 deputetë karshi 61 deputetëve që i kanë partnerët e koalicionit. Por, mbi të gjitha, besoj shumë se duhet bërë gjithçka për të mos humbur kohë. Pra, mos të humbë koha për interesa politike, partiake, klanore e grupore të koalicionit PAN. Kosova po humbet shumë kohë. 100 ditët i kemi falur kohë qeverisë për t’u përgatitur. Edhe nëse nuk mund të punojë shumë, të paktën të na tregojë se çfarë do të punojë në 36 muajt e tjerë, nëse do të mund ta çojë mandatin deri në fund. Por nuk po flasim as për ditë, as për javë, as për muaj, mirëpo po flasim për një menaxhim ditor dhe gjithçka në Kosovë është sot për nesër. Askush në këtë qeveri nuk është i sigurt që nuk krijohen rrethana për të rënë qeveria, as qytetarët nuk po presin të ndodhë diçka më shumë, por vetëm janë në pritje se kur po vjen lajmi për rrëzimin e qeverisë.
“Epoka e re”: Kjo qeveri po punon për interesa të veta e jo për interesa të shtetit?
Haziri: Qeveria po punon sipas një agjende që kryesisht ka të bëjë me vendime administrative. Kjo qeveri nuk po i shtynë përpara proceset e mëdha. Për këto tri procese që po flasim tani dhe për të cilat Kosova është peng, qeveria e kaluar është rrëzuar me mocion të mosbesimit pjesë e të cilit kanë qenë po këta që sot janë në qeveri. Pra, këta janë përgjegjës dhe kanë obligim të ndërmarrin veprime konkrete për demarkacionin, për statusin e komunave me shumicë serbe, për liberalizimin e vizave, për Forcat e Armatosura të Kosovës dhe për sundimin e ligjit. Nëse nuk mund të marrin vendime të mëdha dhe të çojnë rëndë siç kanë premtuar atëherë duhet të hapin rrugë.
“Epoka e re”: Ka ndryshuar qëndrim LDK-ja, përkatësisht grupi parlamentar i saj, lidhur me çështjen e demarkacionit? Zyrtarë të LDK-së kanë paralajmëruar se do të votojnë për ratifikimin e këtij versioni të demarkacionit.
Haziri: Grupi parlamentar i LDK-së është unik. Ne do të veprojmë konform interesave të vendit, por nuk kemi thënë asnjëherë që do ta votojmë demarkacionin. Nuk ka dhurata për këtë qeveri, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë. Ne kemi thënë se partnerët e koalicionit me 61 vota duhet të na bindin se e votojnë demarkacion, pastaj LDK-ja vlerëson për të hyrë në proces të ratifikimit të marrëveshjes.
“Epoka e re”: Pra, nëse të gjithë deputetët e koalicionit qeverisës votojnë për ratifikimin e demarkacionit, do të jenë në këtë vijë edhe deputetët e LDK-së?
Haziri: Duhet të vijnë dhe të flasin me LDK-në, pastaj ne u tregojmë se si veprojmë politikisht.
“Epoka e re”: Nuk keni një qëndrim definitiv?
Haziri: Natyrisht se prej fillimit kemi qenë për. Ata që dje kanë qenë kundër po vazhdojnë edhe sot të jenë kundër. Ata që dje kanë bërë hile, po bëjnë edhe sot hile. Ky nuk është problemi i LDK-së si partia më e madhe në vend dhe partia opozitare më aktive, por është problem i partnerëve të koalicionit. Kryeministri dhe kryeparlamentari le ta shtyjnë përpara këtë agjendë. Ne jemi në Kuvend. Ne nuk gjuajmë bomba me gaz. Nuk e pengojmë eskortën e kryeministrit. Nuk gjuajmë dhe nuk dhunojmë institucione. Ne me dialog synojmë t’i zgjidhim të gjitha çështjet. Dialogu politik është i vetmi instrument yni. Nëse kanë nevojë për ne, ata e dinë adresën tonë dhe mund të na adresohen. Nëse jo, ne do të vazhdojmë ta ushtrojmë detyrën tonë si parti opozitare, në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë, njëkohësisht edhe më aktive.
“Epoka e re”: Z. Haziri, si e komentoni iniciativën e disa deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale? A mendoni se kjo iniciativë po e rrezikon të ardhmen e vendit dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë?
Haziri: Ata i kanë rrezikuar raportet e tyre personale me ndërkombëtarët. Kosovës mund t’i shkaktojnë dhimbje dhe mërzi për disa ditë. Ka ndryshuar qëndrimi i vendeve të Quintit, i ShBA-ve dhe BE-së sa i përket kësaj, pra nuk po e dënojnë kolektivisht Kosovën, por e kanë bërë të qartë se do t’i dënojnë politikanët dhe iniciatorët që po dëshirojnë t’i rrënojnë institucionet e Kosovës. Kosova po shpëton nga lëvizjet e tilla politike që as nuk e kanë kohën e as nuk e kanë rendin me ndodh tash, sepse për këtë është vendosur në 2015-n. Faza e parë dhe kryesore mendoj se është izolimi i liderëve sepse ata do të izolohen. Natyrisht se një lloj pasoje do ta kemi meqë po flasim për masa shtrënguese karshi deputetëve, ministrave apo personaliteteve të tjera që sillen në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me iniciativat që kanë ndërmarrë, por është problem i tyre.
“Epoka e re”: LDK-ja ka paralajmëruar se nuk e përkrah shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por në rast se Kuvendi merr vendim për ta shfuqizuar, cilat do të ishin pasojat për vendin dhe qytetarët?
Haziri: Nuk do të ndodhë një gjë e tillë, kështu që nuk po paragjykoj asgjë. Nuk jam duke parë asnjë mundësi për të ndodhur shfuqizimi i Gjykatës Speciale. Kosova nuk ka nevojë të kthehet mbrapa në vitin 2007. Por, Kosova ka nevojë të ecë përpara, që t’i zë së paku hapat e shteteve në rajon sa iu përket integrimeve evropiane dhe integrimit në NATO. Është momenti i fundit për t’i përshpejtuar hapat dhe në asnjë mënyrë mos të lejojmë të kthehemi në vitin 2007. 2007-ta është viti kur ka pushuar mandati i OKB-së de fakto, por nuk ka pushuar de jure. Rezoluta e OKB-së 1244 ka vdekur de fakto në Kosovë me shpalljen e pavarësisë dhe me njohjen ndërkombëtare të republikës sonë. De jure kush dëshiron ta ringjallë atë rezolutë duhet të ketë shumë kujdes.
Shqipe HETEMI