Haziri, Konjufcës: Isa Mustafën duhet ta përqafosh
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës për Isa Mustafën, të cilit Federica Mogherini ia kishte dhënë letrën garantuese për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Pas kësaj deklarate, Haziri ka shkruar se Konjufca duhet ta përqafojë Isa Mustafën.
“Dy fjalë për Glauk Konjufcën: Nëse për letrën e Mogherinit ia dhe dorën Isa Mustafës, për rolin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin duhesh me e përqafë. Përtej kësaj, më mirë vonë se kurrë!”, ka shkruar Haziri.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke folur mbrëmë për letrën garantuese të ish-përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, se Asociacioni nuk do të përbëjë nivel të tretë të pushtetit në Kosovë, tha se ajo letër sot po i ndihmon shumë Kosovës.
“Na u është dukur një siguresë e mirë. Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtojë që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë më shumë mundim atë letër, bravo i qoftë, ia jap dorën. Qe dora se neve sot po na ndihmon”, ka thënë Konjufca.