Haziri: Kurti i pashpresë, po bën fushatë të pandershme kundër Osmanit
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë të hënën se kjo parti në asnjë rrethanë nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në pas zgjedhjeve të 6 tetorit, por ai ka adresuar kritika edhe ndaj kryetarit të Vetëvendosje, Albin Kurti, për të cilin ka thënë se po bën fushatë të pandershme, ndaj kandidates së Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani.
“Edhe ky lideri tjetër që është bërë si mr. Bean, ka filluar me u qeth e mu rru, ka hy në kravatë, mirë ka bë, ka fillu me ju ngja njerëzve të LDK-së. Nuk mundet dhe nuk ka të drejtë Kurti me thanë që Vjosa duhet me u bë kryetare e Kuvendit. Na i kemi thanë jo, sepse Vjosa do të bëhet kryeministre, kryetar i Kuvendit bëhet ai që e cakton LDK-ja”, ka thënë Haziri.
Ai ka thënë se është e pandershme me dalë me ju thanë njerëzve, “këta do të fitojnë, por do të bëjnë koalicion me ata, kjo është lojë e djallit”, ka shtuar Haziri.
“Nuk është kjo forma dhe mënyra me i bindë qytetarët. Qytetarët e Kosovës tashmë janë përcaktuar për LDK-në dhe kryeministren e tyre të ardhshme, Vjosa Osmani. Prandaj mos iu besoni atyre që thonë të pavërteta”, potencoi nënkryetari i LDK-së, gjatë një takimi me elektoratin e Degës së II-të LDK-së.
Sipas tij, më 6 tetor në Kosovë do të jetë një betejë e titanikëve që do të fitohet nga Vjosa Osmani.
“Në kohën moderne titanikët nuk janë njerëz të muskujve, por në kohë moderne titanik quhet fuqia e mendjes dhe dijes dhe përballë kësaj, lufta është e fituar nga Vjosa”, ka thënë ai.
Sipas Hazirit, me datën 7 tetor pas fitores së LDK-së, “disa liderucë do ta dëgjojnë këngën e rok grupit muzikor Maçoku me Çizme”.