Haziri: Ky kryeministër në të gjitha proceset historike të Kosovës ka pasur qëndrim të përafërt me lidershipin e Serbisë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar rreth zhvillimeve të fundit në vend.
Ai ka theksuar se sa herë që kryeministri Kurti ndihet në siklet, tenton t’i përdorë shqiptarët e Kosovës Lindore, në formë të kundërpërgjigjes e kundërshtisë, madje edhe ndaj vëllezërve matanë gardhit.
“Kurti i ka harruar shqiptarët atje, e në anën tjetër i propozon kryeministrit Rama që të merret më shumë me të drejtat e tyre. Shpjegimi i kryeministrit Rama nënkupton vullnetin e mirë të tij që në këtë ngerç politik të ndikojë me një propozim për t’i relaksuar palët dhe për të ofruar një kornizë për negociatat eventuale”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.
Sipas tij, Kurti njihet në Kosovë si një ‘Mister No’, i cili refuzon gjithçka, prej kujtdo qoftë.
“Është e pabesueshme që ky kryeministër në të gjitha proceset historike të Kosovës ka pasur qëndrim të përafërt me lidershipin e Serbisë!”, ka shkruar Haziri.