Haziri: Lajm shpresëdhënës, 27 të shëruar nga Covid-19 në Gjilan
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka njoftuar të hënën se janë shëruar 27 qytetarë nga Covid-19, derisa ka konfirmuar se janë vetëm 6 raste të reja pozitive.
“Ky është një lajm shpresëdhënës. Kemi 27 bashkëqytetarë të shëruar nga Covid-19. Pra, po bie dukshëm numri i rasteve pozitive. Duhet të vazhdojmë ta luftojmë këtë virus, i cili nuk zgjedh moshë dhe nuk të pyet kush je. Ju lutem shumë, të vazhdojmë t’i respektojmë masat anti-Covid-19 për ta ulur lakoren e infeksionit në zero”, ka deklaruar Haziri, gjatë takimit me Komitetin për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Haziri ka konfirmuar se Gjilani është në pritje të rezultateve për 70 mostra, 40 prej tyre janë të “SC Gjilanit” dhe 30 qytetarë.
Pasqyra e përballjes së Gjilanit me pandeminë Covid-19 brenda 5 muajve është kjo: 688 të rezultuar pozitivë, 498 të shëruar, 162 raste aktive, 53 të hospitalizuar dhe 28 të vdekur.