Haziri: LDK-ja e ka kryetarin
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti është më e madhja në vend.
Duke folur për zhvillimet e fundit brenda LDK-së, Haziri ka thënë se është herët të flitet për kandidatët e mundshëm për kryetar të kësaj partie.
“Besoj shumë se do të jenë dy kandidatë, do të votohet me vota të fshehta dhe kushdo që zgjed kryetar i LDK-së, do të jetë figurë konsensual dhe e pranueshme për të gjithë. Prandaj lakimi i emrave është më shumë medial e paragjykuese sesa që ka diçka në të vërtetë”, ka thënë Haziri për “Epokën e re”.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se LDK-ja e ka kryetarin e vet dhe ai është Isa Mustafa.
“LDK-ja ka kryetar Isa Mustafën me mandat të plotë dhe ne kemi marrëveshje të brendshme që orari i zgjedhjeve në parti të mos ndryshojë. Përderisa e kemi këtë orar, na lejoni ta respektojmë kryetarin Mustafa dhe udhëheqjen e tij politike. Derisa nuk e kemi një datë të zgjedhjeve, është herët të flitet, sepse vetëm e dëmtojmë këtë unitet që e kemi rikthyer pas 10 vjetëve punë dhe kompromise të dhimbshme”, ka deklaruar Haziri.