Haziri: LDK-ja e ka për obligim të kujdeset për proceset politike të Kosovës
Kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherësh edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka komentuar proceset politike në vend.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se LDK-ja si partia më e madhe e ka për obligim të kujdeset për proceset politike në vend.
“LDK, si partia më e madhe politike sot, ka për obligim të kujdeset që proceset politike të Kosovës të ecin përpara. Vota për demarkacionin me Malin e Zi, marrja datës për liberalizimin e vizave, integrimi i minoriteteve etnike në nivel komunal dhe të drejtat e tyre në pushtetin lokal e deri në asociacionin e komunave me shumicë serbe, dialogu për normalizim dhe rikthimi i komunave nga Lindja e Kosovës brenda kufirit të Kosovës, Ushtria e Kosovës në Forcë të Armatosur dhe integrimet euroatlantike, janë detyrë dhe amanet që LDK t’i shtyjë përpara për Kosovën”, ka shkruar Haziri.