Haziri: Llashtica është Reçaku i Anamoravës
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lufti Haziri, ka kujtuar masakrën e Llashticës.
Në 22-vjetorin e kësaj masakre, ai ka thënë se janë gjithmonë të freskëta plagët e tmerrit që kaluan banorët e Karadakut dhe gjithë regjionit.
Haziri ka deklaruar se përmes Llashticës kujtojnë edhe masakrën e Llovcës, Lladovës, Zhegrës dhe të gjithë të rënët e prillit, majit e qershorit dhe të gjithë të rënët në luftën për liri. “Ky është 22-vjetori i prillit të madh, i sakrificës, torturës dhe vrasjeve barbare të masakrimit të shqiptarëve. Këtu u vra e masakrua fëmija më i vogël në luftën çlirimtare të Kosovës dhe plaka më e vjetër në moshë. Është masakra më e madhe që Gjilani dhe regjioni e ka përjetuar. Ne do ta kujtojmë masakër si ngjarja më e frikshme e dhembjes së madhe për të gjithë ne në këtë regjion. Lashtica është Reçaku i Anamoravës”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se kjo masakër është një plagë e hapur, pasi ende nuk ka filluar asnjë hetim.
Forcat paramilitare serbe më 13 prill të vitit 1999 kishin vrarë dhe masakruar 26 civilë shqiptarë në Llashticë të Gjilanit.