Haziri: Llashtica, fshat model i punimit të tokës bujqësore
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë qëndrimit në fshatin Llashticë ka thënë se ky fshat është model i bashkëpunimit. Haziri ka kërkuar nga Këshilli i këtij fshati që së bashku me Shoqatën e Bashkatdhetarëve të fillojnë t’i mirëmbajnë projektet e investuara.
“Investimet ne tash i bartim te qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë kudo që po angazhohen po sjellin model të ri, edhe të mirëmbajtjes, edhe menaxhimit, edhe të kujdesit. Me pak mjete të tyre, bëhet shumë punë në këtë fshat”, ka thënë Haziri, duke bërë me dije se vitin e ardhshëm do të përfundojnë të gjitha projektet investive në këtë fshat, përfshirë edhe në aspektin e bujqësisë dhe të infrastrukturës.
Ndërsa kryetari i Këshillit të fshatit Llashticë, Ekrem Hasani, ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e madhe për realizimin e projekteve.
Pas vizitës së projekteve të ndryshme, kryetari i Gjilanit me bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te varrezat e martirëve duke ritheksuar se “Llashtica është Reçaku i Anamoravës”.
/Epoka e re/