Haziri: Më 15 qershor nis vaksinimi masiv në Gjilan

07 qershor 2021 | 14:03

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në takimin e mbajtur të hënën me përfaqësuesit ndërinstitucionalë të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19,  ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet që më 15 qershor të nis vaksinimi masiv i qytetarëve në bazë të kritereve për vaksinim. Ai ka thënë se vaksinimi do të bëhet në palestrën e sporteve “Bashkim Selishta – Petriti”.

“Për gjithçka rreth vaksinimit do të bëhet njoftimi i qartë. Kategorizimi bëhet në bazë të moshës dhe i gjithë procesi do të shkojë në bazë të planit dhe në koordinim me të gjitha institucionet për të mbajtur rregull dhe rend. Komiteti i Emergjencave do të jetë vazhdimisht mbikëqyrës i këtij procesi dhe natyrisht edhe Ministria e Shëndetësisë. Është konfirmuar se ka vaksina të mjaftueshme për vaksinimin e çdo qytetari. Gjithashtu, vaksinimi i fazës së dytë sipas kalendarit do të bëhet për të gjitha ata që kanë marrë tashmë dozën e parë”, ka  thënë Haziri.

Më tutje, Haziri ka falënderuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, për donacionin e fundit që Gjilanit i ka siguruar 2 500 teste rapide.

“Gjithashtu edhe Qendra Rajonale e Shëndetit Publik është furnizuar me të gjitha llojet e testeve dhe nuk ka asnjë problem për qytetarët që kërkojnë shërbime të testimit brenda orarit të punës dhe në bazë të protokollit të institucionit shëndetësor”, ka theksuar Haziri, duke bërë me dije se në Gjilan janë vetëm, shtatë raste aktive me Covid.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo sot ka bërë hapjen e njëri prej hoteleve…