Haziri: Mocioni për rrëzimin e Qeverisë nuk është prioritet në këtë fazë

18 prill 2018 | 16:39

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë me dije se mocioni për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj nuk është përjashtuar, por as nuk është prioritet në këtë fazë.

Ai ka thënë se arritja e një marrëveshje politike në mes të gjitha partive politike është rruga më e mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike dhe institucionale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haziri ka treguar se kjo marrëveshje synon harmonizimin e një liste me prioritete të punës si dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Ai ka folur edhe për procesin zgjedhor në LDK, duke bërë me dije se do të jenë dy kandidatë për kryetar partie

“Epoka e re”: Z. Haziri, LDK-ja ka iniciuar mbajtjen e një tryeze në mes të partive politike që ka për qëllim arritjen e një marrëveshje politike si dhe caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme. Pse po insistoni në këtë marrëveshje?
Haziri: Kjo është rruga e vetme për të dalë nga situata aktuale meqë Qeveria ka humbur shumicën parlamentare politike me largimin e Listës Serbe. Duke mos dashur të lejohet që Lista Serbe të jetë faktor determinues në rënien dhe ngritjen e qeverisë, partitë politike duhet të diskutojnë për agjendën që është në interes të republikës. Kjo agjendë përfshin reformën evropiane, legjislacionin zgjedhor dhe diskutimin për një kod të ri zgjedhor, dialogun e Brukselit si dhe çështjet e  tjera që janë interes kapital. Në kuadër të kësaj pakoje duhet të diskutohet edhe data e zgjedhjeve të parakohshme, si pjesë e marrëveshjes së partive politike dhe një dialogu të brendshëm i cili çon në harmonizimin e një liste me prioritete të punës dhe datës së zgjedhjeve. Për LDK-në kjo është rruga më e mirë për ta nxjerrë vendin nga kriza politike dhe institucionale, sepse ngërçi politik e ka kapur Qeverinë.

“Epoka e re”: Keni marrë mbështetje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur?
Haziri: Kjo nuk ka të bëjë vetëm me relacionin opozitar. Tekefundit, partitë opozitare mund të takohen dhe të diskutojnë, por nuk është ideja që dialogu të zhvillohet vetëm me bllokun opozitar. LDK-ja si partia më e madhe në vend dhe në Kuvend sillet me përgjegjësi dhe urtësi politike, prandaj ftesa është për të gjitha partitë. Në radhë të parë për partitë shqiptare, pastaj edhe minoritetet në ndërkohë. Ftesa për dialog të brendshëm është për të gjitha partitë, pavarësisht nëse janë partnere të koalicionit qeverisës apo në opozitë. Është në interes të vendit dhe të qytetarëve që të përshpejtohen reformat, të qartësohet agjenda dhe dinamika e dialogut të Brukselit si dhe gjithçka që është në interes të Kosovës të zgjidhet me një konsensus sa më të gjerë politik.

“Epoka e re”: Si mund të prisni mbështetje të partive në koalicion për këtë marrëveshje e cila parasheh rrëzimin e tyre prej pushteti?
Haziri: Nuk ka të bëjë me rrëzim. Me vetë faktin që po flasim për një datë të mundshme për zgjedhjet e parakohshme, flet për një marrëveshje politike. LDK-ja nuk ka kulturë të punës prapa shpinës sepse nuk punojmë tinëz. Kultura e punës tinëz dihet se cilës parti i përket. Ne jemi për dialog të brendshëm, për harmonizim të qëndrimeve dhe për marrëveshje. Në asnjë formë nuk punojmë me iniciativa të natës të cilat rrënojnë shtetin dhe institucionet. Ftesën e kemi shumë miqësore. Edhe pse është në duart e LDK-së procesi i rrëzimit të Qeverisë, ne nuk jemi duke punuar me këtë logjikë. Logjika jonë është që punët në interes të Kosovës duhen kryer dhe të arrihet një marrëveshje në mes të gjitha partive politike për një datë të zgjedhjeve të parakohshme.

“Epoka e re”: Sa ka shanse reale për t’u arritur kjo marrëveshje duke pasur parasysh polarizimin e skenës politike?
Haziri: Besoj se ka hapësirë për marrëveshje. Të gjitha partitë e dinë se LDK-ja ka vullnet të mirë politik dhe ky vullnet duhet t’i bashkojë të gjitha forcat politike. Nëse ka ego dhe kryeneçësi politike, duhet të tejkalohet dhe të mbështetet kjo iniciativë e LDK-së sepse në momentin që ulemi në tavolinë iniciativa bëhet e përbashkët dhe ka për qëllim t’i japë vendit frymë dhe dinamikë të re politike, para së gjithash, rezultat politik.

“Epoka e re”: Ka ndonjë orientim për periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme?
Haziri: Në asnjë mënyrë nuk e kemi menduar periudhën kohore apo datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, mirëpo kemi menduar vetëm formën e organizimit të tryezës dhe arritjes së marrëveshjes. Data, muaji dhe viti i mbajtjes së zgjedhjeve është çështje e përbashkët që partitë politike duhet ta harmonizojnë me njëra-tjetrën. Kjo varet shumë nga detyrat dhe prioritetet që vendosen. Ne e kemi kryer detyrën e demarkacionit me Malin e Zi që për tre vjet i ka harxhuar oksigjenin politikës në Kosovë duke u sjellë në rreth të mbyllur. Ky proces ka rrëzuar një Qeveri me 87 deputetë, por nuk është realizuar atëherë sepse më shumë është punuar për të rrëzuar sesa për të ndërtuar. Por, tash jemi në një ambient të ri dhe oferta jonë është e sinqertë.

“Epoka e re”: Do të ketë apo jo mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, meqë votat e LDK-së janë përcaktuese për të ardhmen e saj?
Haziri: LDK-ja do t’i japë shans dialogut të brendshëm. Politika jonë duhet të kthjellët dhe të mendojë për dialogun e brendshëm që është zgjidhja e të gjitha problemeve. Duhet të ndërtojmë agjenda të përbashkëta konsensuale.  Mekanizmi i mocionit është kushtetues dhe e çon vendin brenda 40 ditëve në zgjedhje. Mocioni nuk është përjashtuar, por nuk është prioritet në këtë fazë.

“Epoka e re”: Z. Haziri, këto ditë është zhvilluar një debat edhe për zgjedhjet në LDK. Duke pasur parasysh se tashmë janë prezantuar disa figura për pozitën e kryetarit, duke ju përfshirë juve, Agim Veliun, Haki Rugovën, Gazmend Muhaxherin, Avdullah Hotin, si dhe grupin e të rinjve të kryesuar nga Vjosa Osmani, sa ka rrezik që kjo të sjellë përçarje në parti?
Haziri: LDK-ja është partia më e madhe në vend. Ky rikthim i LDK-së ka ndodhur  në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar. Rikthimi i madh politik është bërë falë angazhimit, unitetit dhe besimit qytetar. Nuk ka shans dhe nuk ka asnjë lloj mundësie që LDK-ja të përçahet. Kjo nuk do të ndodhë as në zgjedhjet e majit të vitit të ardhshëm. E kemi kaluar veten për ndërtimin e këtij uniteti. Deklarata e z. Muhaxheri është shtrembëruar sepse ai ka thënë se mund të jetë i nominuar për kryeministër e jo për kryetar të LDK-së.

“Epoka e re”: Cilët do të jenë kandidatët e mundshëm për kryetar të LDK-së?
Haziri: Është herët për LDK-në të flitet për kandidatët e mundshëm për kryetar. Besoj shumë se do të jenë dy kandidatë, do të votohet me vota të fshehta dhe kushdo që zgjedhet kryetar i LDK-së, do të jetë figurë konsensual dhe e pranueshme për të gjithë. Prandaj lakimi i emrave është më shumë medial e paragjykuese sesa që ka diçka në të vërtetë.

“Epoka e re”: Do të jeni ju një nga këta dy kandidatët meqë në opinion shiheni si figurë e pranueshme për ta drejtuar LDK-në?
Haziri: Edhe mua do të më bënte nder po të arrij ta ndërtoj këtë politikë konsensuale të LDK-së. Por, LDK-ja ka kryetar Isa Mustafën me mandat të plotë dhe ne kemi marrëveshje të brendshme që orari i zgjedhjeve në parti të mos ndryshojë. Përderisa e kemi këtë orar, na lejoni ta respektojmë kryetarin Mustafa dhe udhëheqjen e tij politike. Derisa nuk e kemi një datë të zgjedhjeve, është herët të flitet, sepse vetëm e dëmtojmë këtë unitet që e kemi rikthyer pas 10 vjetëve punë dhe kompromise të dhimbshme.

“Epoka e re”: Ju keni paralajmëruar më herët se do të jeni kandidat për të parin e partisë, por në rast se kandidatura juaj sjellë përçarje, do të tërhiqeni për t’ia lëshuar rrugën dikujt tjetër?
Haziri: LDK-ja nuk e njeh logjikën e tërheqjes, por të arritjes së marrëveshjes. Në vitin 2007 dhe në vitin 2010 kam qenë pjesë e marrëveshjeve të mëdha politike të cilat i kam respektuar dhe i respektoj deri në fund. Kështu që, përderisa nuk kemi datë të zgjedhjeve në LDK, është herët të nominohemi apo të vetënominohemi. E rëndësishme është që kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është kthyer në Prishtinë dhe ka marrë në duart e veta udhëheqjen e partisë, kurse ne të tjerët ndihmojmë zbatimin e politikave.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk do të ketë marrëveshje për daljen e Britanisë nga…