Haziri në Athinë prezanton shembullin e Gjilanit për integrimin e fëmijëve me nevoja të veçanta
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me ftesë të UNICEF-i është duke marrë pjesë në konferencën “Mayors for Children”, e cila po mbahet në Athinë.
Në këtë konferencë janë duke marrë pjesë kryetarë të komunave nga regjioni në mbështetje të fëmijëve dhe të drejtave të tyre, ndërsa Komuna e Gjilanit përfaqësohet nga Lutfi Haziri, duke sjellë shembullin e organizimit, mbrojtjes dhe integrimet e fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Gjilani është zgjedhur si komunë për implementim të programit të UNICEF për trajtimin e fëmijëve me nevoja të veçanta. Ne po punojmë në integrimin e fëmijëve në shkolla, përmes ndihmës që ofron sektori i arsimit dhe mirëqenies sociale, në mënyrë që të integrohen që në fëmijërinë e hershme. Qëllimi ynë është që fëmijët me nevoja të veçanta të ndihen dhe të jetojnë të barabartë në shoqëri”, ka thënë Haziri.
Në kuadër të bashkëpunimit me UNICEF-in, Komuna e Gjilanit ka bërë një hulumtim për gjendjen e deritanishme të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe fëmijët e braktisur, ku përfshihen statistika lidhur me ofrimin e asistencës nga kjo komunë për këta fëmijë, në bashkëpunim me akterët lokal.
/Epoka e re/