Haziri: Në Gjilan kemi shkallë të lartë të përmirësimit të situatës kundër Covid-19
Komiteti për menaxhimin e emergjencave në Gjilan kundër përhapjes së Covid-19, ka vlerësuar se situata me koronavirus në këtë komunë ka shkallë të lartë të përmirësimit.
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk ka asnjë pacient me tretman në Klinikën Infektive, duke shtuar se 21 pacientë janë në vetizolim.
“Kjo është arritur fal angazhimit të institucioneve komunale, regjionale, përfshirë edhe KBI-në dhe komunitetet tjera fetare. Nga 51 rastet e infeksionit, 2 kanë ndërruar jetë, 21 janë në vetizolim, ndërkaq të tjerët janë shëruar plotësisht”, ka thënë Haziri.
Haziri ka thënë se beson që rezultatet për testet e sotme të dalin sipas pritjeve, në mënyrë që infeksioni të ulet në pikën zero.
Më tutje, Haziri ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që të vazhdojnë ta respektojnë orarin e qarkullimit dhe masat kundër përhapjes së koronavirusit.
Në këtë konferencë, kanë adresuar mesazhet e tyre edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, dr. Fejzulla Berisha dhe komandanti i Stacionit Policor në Gjilan, major Alban Ramushi. (L.G: ‘Epoka e re’)