Haziri: Një lloj konfederate po kërcënon të krijohet në Kosovë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe njëkohësisht i ngarkuar për dialogun nga partia e tij, Lutfi Haziri, mendon se një lloj konfederate po kërcënon të krijohet dhe se Kosova e shtyn kështu njohjen nga Serbia edhe më shumë në kohë.
“Ne atëherë kemi paralajmëruar shqetësimin tonë sepse është degraduar nga një marrëveshje obligativisht ligjore me njohjen në qendër si një qëllim kryesor në një marrëveshje të përkohshme, ku njohja e Kosovës nga Serbia shtyhet. Ky dokument nuk ka dalë jashtë asaj kornizës. Në vete parasheh mënyrën specifike dhe detyrat, kompetencat, të veçantë të katër komunave në veri. Më së paku, mund të flasim për ndarje të brendshme, ne dhe ata, në një Kosovë në parime të njëjta të multietnicitetit, të territorit, të sovranitetit. Në fakt, po krijohet pushteti i tretë në këtë rrafsh si lexim i parë. Si lexim në implementim kur të bëhet akti i kryer, janë disa çështje që Kosovës mund të ja pasqyrojë një Kosovë të vogël serbe brenda territorit tonë. Si do ta quajnë të tjerët, mund të vërehet një lloj konfederate”, ka pohuar Haziri për A2 CNN.