Haziri: Nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë në Hagë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se beson shumë se drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara, do të jetë e barabartë për të gjithë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Haziri ka uruar që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet.
Ai ka thënë se ata nuk kanë parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë.
“Për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi. Në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian in EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës.
Praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës. Kjo është e vërteta e madhe. Kjo zhurmë politike dhe ky debat që është duke u zhvilluar në Prishtinë ka të bëjë me pakënaqësitë në rastin e fillimit të gjykimit kundër ish-presidentit, ish-kryekuvendarëve dhe ish-deputetit të VV-së. LDK është përmendur në disa raste, më shumë në komunikata, por jo në raste tjera të veçanta. Derisa nuk kemi zbardhje të fakteve në rastet e veçanta për emrat e veçantë. Ne nuk kemi parë emra dhe eksponentë të LDK-së që do të jenë subjekt i zbardhjes së drejtësisë.
Besojmë shumë që drejtësia e vendosur përmes Dhomave të Specializuara do të jetë e barabartë për të gjithë dhe uroj që pastërtia e luftës dhe pastërtia e kryengritjes dhe rezistencës politike dhe ushtarake të konfirmohet jo në dëm të askujt, duke përfshirë jo vetëm pakicat etnike, por edhe individët. Në këtë rrafsh, e vërteta e madhe është që drejtësi duhet të vendoset për të gjithë dhe kompensimi me drejtësi për viktimat dhe rastet që Dhomat e Specializuara i kanë në hetime, duhet të vendoset po ashtu”, ka shkruar Haziri.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën, pritet të nis paraqitja e provave nga ana e Prokurorisë, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas kalendarit në faqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, seanca pritet të fillojë në orën 09:00, ndërsa transmetohet rreth 45 minuta me vonesë për publikun.
Përveç të martës, seancat e radhës pritet të mbahen më 12, 13, 17, 18, 19 dhe 20 prill.
Ndryshe, më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.