Haziri paralajmëron shtrëngim të lëvizjes nga data 14 prill
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur para pak çastesh një konferencë të jashtëzakonshme për media në Qendrën Operative Emergjente (te kompleksi i shkollave të mesme). Ai ka paralajmëruar se nga data 14 prill do të shpallet orari i ri për kufizim të lëvizjes së qytetarëve në këtë komunë.
“Ne po vazhdojmë masat shtrënguese për parandalimin e përhapjen së koronavirusit. Sot është varrosur bashkëqytetari ynë 72 vjeçar i cili ka qenë duke qëndruar për disa ditë në Klinikën Infektive në Prishtinë. Pas analizave të kryera më 25 mars 2020, gjendja e tij shëndetësore ka qenë pa simptoma të rënda por, për shkak të sëmundjeve shoqëruese, më pas gjendja e tij shëndetësore është rënduar. Ne u kemi shprehur ngushëllimet tona më të sinqerta familjarëve të të ndjerit dhe pjesa tjetër është duke qëndruar pranë tyre. Ne kemi marrë veprime konkrete për organizimin e ceremonisë së varrimit të tij”, ka treguar Haziri.