Haziri pas takimit me Lajçakun: Po vazhdojmë të mbetemi në terr sa i përket draftit, Kurti të japë shpjegime

07 nëntor 2023 | 12:12

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri është takuar të martën me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Haziri ka thënë se e vlerëson kohën që Lajçaku ka ndarë për të takuar edhe përfaqësuesit opozitarë, megjithatë ka thënë se ende po mbahen në terr sa i përket draftit evropian për Asociacionin.

“Sot në vazhdën e angazhimeve në dialog që ndërmjetësi ndërkombëtar po e realizon në Prishtinë, u takuam për të disatën herë. Besoj se angazhimi i tij dhe ndarja e kohës për takime me partitë opozitare është për t’u vlerësuar edhe pse po mbahemi në një formë apo tjetër në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit, së paku në parime apo angazhime që duhet kryeministri më ua ofruar deputetëve dhe popullit”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se s’kanë folur konkretisht me Lajçakun se pse s’po bëhet publik drafti, derisa potencon se është detyrë e Kurtit të japë shpjegime.

“Nuk kemi folur specifikisht, sepse është detyrë e Kurtit me dhanë shpjegime. Ai është ndërmjetës. Ka rregulla dialogu. Palët po ofrojnë komente, komentet nuk janë kah negociohen”, ka thënë tutje ai.

Më tutje, Haziri ka thënë se për LDK-në, dialogu s’ka opsion, derisa ka kritikuar qeverinë se nuk ka arritur ta kapitalizojë momentumin pas 24 shtatorit.

“Dialogu s’ka opsion, është e vetmja rrugë për të zgjidhur problemet. Situata pas 24 shtatorit ka ndryshuar, por Qeveria s’ka arritë me e kapitalizu”, ka thënë Haziri.

I pyetur për mungesën e Abdixhikut, Haziri ka thënë se i ka përcjellë në takim komentet e Abdixhikut dhe se ai është i zënë me Kuvendin e LDK-së që do të mbahet këtë muaj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…