Haziri për Gjykatën Speciale: Ata që e votuan këtë gjykatë tash dalin e thonë “Jo në emrin tim”
Në emisionin “Debat me Ridvan Berishën”, prodhim i Kosovalive.net, i ftuar i radhës ishte, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri.
Duke i komentuar zërat kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale në rastin e komandant Calit, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se pikërisht ata që e votuan këtë gjykatë tash dalin e thonë, jo në emrin tim.
“Ne i kemi dhënë verdiktin një gjyqtare ndërkombëtare në Hagë me fol në emër të popullit të Kosovës. Pastaj ne dalim në hashtaga e themi jo në emër timin. Në emër të Kosovës jepet drejtësia. Kush e ka kërkuar themelimin e kësaj gjykate, fundja dështimet tona s’mundemi me i la”, reagoi Haziri.
Ai tha se LDK-ja nuk i komenton vendimet e gjyqësorit.
“Natyrisht që gjykata ka vendos, çka ke me dalë me deklaratë kur gjykata ka fol, kur fol ajo, fol institucioni i drejtësisë. Ata që e votuan gjykatën speciale po bëjnë hashtaga, po thonë jo në emrin tim, atëherë pse e ke votu”, pohoi Haziri.
Më tutje zyrtari i lartë i LDK-së tha se LV-ja nuk e votoi Gjykatën Speciale vetëm pse atë e votoi PDK-ja dhe LDK-ja.
“Përndryshe, ne harrojmë shpejt, vet lideri i LV-së e ka fjalimin kur i thotë z. Thaçi me shku vet në Hagë”, u shpreh Haziri.