Haziri përgëzon zjarrfikësit për punën në kohë pandemie
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka vizituar të enjten Njësinë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, për të parë nga afër punën që bëhet aty.
Me këtë rast, Haziri i ka përgëzuar zjarrfikësit për punën e jashtëzakonshme në kohë pandemie, të cilët që prej 13 marsit të vitit të kaluar e deri sot, kanë bërë dezinfektimin e të gjitha objekteve të administratës, përfshirë edhe shkollat dhe institucionet tjera.
Po ashtu, Haziri ka falënderuar edhe zjarrfikësit vullnetarë, të cilët janë duke vazhduar punën përkundër moszgjidhjes së statusit të tyre, duke apeluar institucionet përkatëse që sa më parë ta rregullojnë statusin e tyre, duke e pasur parasysh rëndësinë e punës që e bëjnë.
Ndërsa komandanti i Njësisë Profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Rabit Murseli, e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mbështetjen, përfshirë në renovimin e objektit e pajisjes me sistemin modern të ngrohjes.
Ndryshe, prapa objektit të zjarrfikësve është bërë edhe pastrimi i deponisë ilegale, ku punën e ka kryer në formë vullnetare kompania, Asllani Trans.