Haziri: Personi nga Gjilani është infektuar në Prishtinë
Njëri nga gjashtë të infektuarit me koronavirus në Kosovë është nga komuna Gjilanit, por ai është infektuar në Prishtinë. Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Sipas Hazirit, personi është infektuar në vendin e punës në Prishtinë dhe me pas ka kërkuar të transferohet në Gjilan, derisa në ketë qytet nuk ka pasur asnjë kontakt.
“Personi, në fakt, është infektuar në Prishtinë, në vendin e tij të punës dhe ka kërkuar që të transferohet në Gjilan, gjë që ia kemi mundësuar. Asnjë kontakt nuk ka pasur me Gjilanin dhe po monitorohet nga shtabi për emergjencat civile dhe institucionet shëndetësore”, ka shkruar Haziri në profilin e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Hazirit në “Facebook”:
Sapo e morëm lajmin nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përkatësisht Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare, për një rast të ri të infeksionit me Covid19 nga Gjilani. Personi, në fakt, është infektuar në Prishtinë, në vendin e tij të punës dhe ka kërkuar që të transferohet në Gjilan, gjë që ia kemi mundësuar. Asnjë kontakt nuk ka pasur me Gjilanin dhe po monitorohet nga shtabi për emergjencat civile dhe institucionet shëndetësore.
Gjatë ditës, kemi mbajtur takim koordinues me emergjencat civile dhe institucionet shëndetësore për vlerësimin e situatës e cila është nën kontroll në komunën tonë.
Ju lutem, mos prano dhe mos jep shërbime pa masa mbrojtëse. Plus asaj, mbaje distancën sociale. Mos dil dhe mos shko askund pa arsye të madhe!
(V.Z / Epoka e re)