Haziri: Prioritet në Gjilan, imunizimi kolektiv i popullatës përmes vaksinimit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së Covid-19, në bazë të analizimit të gjendjes në 24 orët e fundit, ka apeluar qytetarët për kujdes maksimal, vetizolim për të gjithë të infektuarit dhe njëkohësisht përgjigje në fushatën e vaksinimit.
Gjatë adresimit në konferencën për media të së hënës, kryetari Haziri bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar katër vdekje, që është numri më i madh deri më tani i regjistruar brenda një dite, ku edhe u ka shprehur ngushëllim familjeve që i humbën më të dashurit e tyre. “
Gjendja po vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rënduar, me numër të madh të të infektuarve që ka arritur në 1 412 qytetarë të Gjilanit që janë të prekur. Të infektuarit lutem që të vetizolohen dhe të vetpërmbahen nga dalja jashtë shtëpisë apo edhe kontaktit me anëtarët e tjerë të familjes që të mos e bartin infeksionin. Policia e Kosovës dhe inspektorët e Komunës së Gjilanit do të kujdesen për zbatimin e protokollit për të gjithë të infektuarit, prandaj ju lusim që të qëndroni në shtëpi. Gjendja në Spitalin e Përgjithshëm është rënduar, tani atje gjenden 97 pacientë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Koordinimi me institucionet private të shëndetësisë do të jetë më i madh për monitorimin e gjendjes në bashkëpunim me institucionet e rendit”, ka thënë Haziri.
Ai, po ashtu, ka bërë me dije se Komuna e Gjilanit është duke bërë të gjitha përgatitjet edhe për fillimin e procesit të mësimit dhe monitorimin e personelit arsimor nëse është vaksinuar apo jo, në të kundërtën, sipas tij, pa dëshminë për vaksinim ose pa test të përditshëm anti-Covid, nuk tolerohet që mësimdhënësi të dalë para nxënësve.