Haziri: Projektet milionëshe në Gjilan po realizohen me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në adresimin para gazetarëve, ka konfirmuar vazhdimin e realizimit të projekteve, programeve dhe investimeve kapitale, duke theksuar edhe vështirësitë buxhetore të cilat kanë dalë si pasojë e përballjes me pandeminë globale Covid-19.
“Është fat shumë i madh për Komunën e Gjilanit që pjesa më e madhe e investimeve të planifikuara për këtë vit, nuk janë të varura drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës. Projektet e mëdha kapitale, janë investime të partnerëve të Gjilanit dhe Kosovës, sikur që është Banka Evropiane për Zhvillim, Bankën për Investime të BE-së, Bankën Botërore dhe institucione të tjera financiare të Evropës. Pandemia nuk i ka prekur projektet e kontraktuara, megjithëse një pjesë e tyre duhet të ratifikohen ne Kuvendin e Republikës”, ka thënë Haziri.
Haziri ka pohuar se rruga Gjilan- Prishtinë në gjatësi 7.1 kilometër, rruga Livoç i Ulët – Kllokot, impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për periudhën afatmesme dhe afatgjate, janë projekte të konfirmuara që punët në realizimin e tyre do të nisin në bazë të afateve kohore të parapara.