Haziri: Pse presidentja Osmani nuk po e fton edhe LV-në me ia marrë qëndrimin për draftin e Asociacionit?
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ia ka drejtuar një pyetje për presidenten Vjosa Osmani, pasi ka paralajmëruar se do t’i ftojë për takim partitë opozitare për të diskutuar rreth draft-statutit të Asociacionit.
Ai ka pyetur pse Osmani nuk po e fton edhe LV-në për t’ia marrë qëndrimin për draft-statutin e Asociacionit.
“Po ashtu, pse nuk e fton edhe LV-në presidentja për t’ia marrë qëndrimin?”, ka thënë Haziri.
Sipas tij, LDK-ja nuk mund ta bëjë punën që duhet ta bëjë qeveria dhe presidentja.
“LDK-ja nuk mundet me kryer punën e qeverisë e as të presidentes që e kemi votuar edhe ne”, ka thënë Haziri për “Front Online”.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se me partitë do të diskutojë në lidhje me komentet dhe vlerësimet sa i përket këtij drafti dhe se të gjitha ato komente të inkorporohen në përmirësimin e këtij drafti.
“Tani për fund vit do t’i ftojë partitë opozitare për konsultime për këtë temë dhe shumë tema të tjera, që kanë të bëjnë me interesin nacional. Do t’i njoftoj edhe ata për çështjet që i kam identifikuar edhe unë dhe kabineti im. Jam e bindur që përderisa e kemi qëllimi që të mos lejojmë ndonjë trup, i cili i shkakton probleme Kosovës atëherë do të kemi mundësi që të arrijmë atë nëpërmjet mekanizmave që ekzistojnë në Kosovë”, ka thënë ajo para mediave.