Haziri: Qeveria në qiell, populli në buqillë
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri, i ka ngritur një varg temash për të cilat thotë se nuk po merr përgjigje nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
“Kurti nuk tregon kur betohen kryetarët e rinj të komunave veriore, kur kthehen zyrtarët bojkotues të institucioneve në veri, kur zbaton draftimin e Asociacionit për vetëmenaxhimin e komunave më shumicë serbe e kur zbaton vendimin me kërkesen e tij për hapjen e urës per veriun e Mitrovicës”, tha Haziri.
“Kurti nuk tregon planin për kthimin e refugjatëve në atdheun e tyre për Mitrovicë dhe komunat në veri, nuk tregon kur ia kthen buxhetin vetanak komunave, nuk tregon kur përfundon autostrada për Gjilan, Mitrovicë e Pejë, si dhe 780 milionë euro të investimeve kapitale kur përfundojnë”, tha ai.
Haziri shtoi se Kurti duhet ta vazhdojë ta shesë paaftësinë e ekipit të tij.
“Veç Kurti e di se cili prokuror, gjykatës, polic, mjek, anëtar bordi, kryeshef agjencie e drejtues tjerë institucionalë i pelqen atij, kryekuvendarit dhe Presidentes”, shtoi numri dy i LDK-së.
“Për të tjerët s’ka gajle. Populli thotë: Qeveria në qiell e populli në buqillë!”, tha ndër të tjera Haziri.