Haziri: Qytetarët në veri dhe lindje i frikësohen zgjidhjes që mund të dalë nga dialogu
Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën “Zëri i popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë se është dekurajuese të mos i kemi kryetarët e katër partive në pushtet të pranishëm në këtë tryezë.
“Nuk i kemi në këtë tryezë, as kryetarin e PAN-it dhe kryetarin e PDK-së, i cili është me dy kapela, as kryeministrin në detyrë, por as kryetarin e Nismës, i cili është edhe udhëheqës i dialogut dhe kryetari i Lista Serbe që e bojkoton këtë tryezë dhe institucionet”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se kjo gjendje e lë në ajër edhe statusin dhe rolin presidentit, sepse sipas tij duhet të zgjedhë në mes atyre që po e mbështesin dhe atyre që janë duke e kundërshtuar.
Haziri ka thënë se opozita dhe në veçanti LDK-ja nuk pajtohet me mënyrën e procesit të dialogut.
Më tutje ai ka thënë se një zgjidhje gjithëpërfshirëse duhet të ndodhë në mënyrë që të ketë një zgjidhje të drejtë.
“Frika e qytetarëve në veri dhe në lindje të Kosovës për zgjidhje jo të drejtë të procesit të dialogut Kosovë-Serbi është shqetësimi kryesor që e kanë”, ka thënë Haziri.