Haziri: Restoranti, vendi që bashkon koalicionin qeverisës për të gjetur udhën e humbur
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në vend.
Ai ka thënë se e premtja e Pashkëve mund të përshkruhet si ngjarje me deportime, shkarkime e kaos institucional.
Haziri ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, se meqë në zyre të shtetit nuk po koordinohen punët, ka mbetur restoranti si vendi që po e bashkon koalicionin qeverisës për të gjetur udhën e humbur.
Postimi i plotë i Lutfi Hazirit:
E premtja e Pashkëve mund të përshkruhet si ngjarje me deportime, shkarkime e kaos institucional, me qëllime e kërkesa politike në Mitrovicë, kërkesa ultimative e ‘deportime’ të profesorëve gylenistë, e me shkarkime politike të dy autoriteteve të sigurisë. Kah po shkojmë tash?
Serbinë e kemi në armiqësi, por a duhet edhe me shtetin mik, Turqinë, t’i ‘çartim’ punët me këtë ‘harç’? Deportimi i tyre nuk ka guxuar me ndodhë pa dijeninë e autoriteteve shtetërore.
Si duket, meqë në zyre të shtetit nuk po koordinohen punët, ka mbet restoranti si vendi që po e bashkon koalicionin qeverisës për me e gjetë udhën e humbur!