Haziri: S’mund të ndërtojmë arsim online në Kosovë
Kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka bërë me dije se kjo komunë e ka prioritet të lartë sektorin e arsimit, duke shtuar po shqyrtohen seriozisht tri opsionet e MASH-it pwr fillimin e vitit shkollor.
Ai ka deklaruar se nuk mund të ndërtojmë arsim online në Kosovë, sepse Kosova nuk ka përvojë e kapacitete teknologjike. “Unë mbetem i përkushtuar që arsimi duhet të normalizohet me vijueshmëri të rregullt në shkollë, por duhet të gjendet modaliteti që të parandalohet përhapja e infeksionit. Është e paqëndrueshme të pretendohet që mund të ndërtojmë arsim online në Republikën tonë, pa kurrëfar kapacitete, përvoje e mundësie teknologjike. Edhe ashtu, sistemi arsimor në Kosovë në rrafshin e vlerësimit të PISA-s, është shumë keq dhe pandemia mund ta përkeqsojë”, ka thënë Haziri.
Ai ka theksuar se arsimtarët, prindërit, nxënësit dhe institucionet komunale, duhet të mobilizohen në gjetjen e rrugës më të mirë, në mënyrë që procesi shkollor të normalizohet në kushte pandemie.