Haziri: Takimi i Ohrit mund ta komplikojë procesin e dialogut
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka deklaruar se takimi në Ohër mund ta komplikojë më tutje procesin e dialogut.
Ai tha se megjithatë ky proces mund njëkohësisht ta konfirmojë një marrëveshje të pranuar në Bruksel.
“Tanimë diplomacia e Lajçak është pjesë e praktikës së modalitetit të negociatave. Qëndrimi javën e kaluar në Prishtinë, një vikend në mes i zbrazur për t’u kthyer në Serbi dhe për të përgatitur takimin e Ohrit. Ne kemi një marrëveshje në parim e pranuar nga të dy palët dhe tani presim që pjesë e atij takimi të bëhet edhe dokumenti plotësues që llogaritet të jetë pjesë integrale e marrëveshjes për të cilën nuk ka dakordim të palëve”, ka deklaruar Haziri në RTV 21.
“Me vet faktin që ka një dallim te kjo çështje, atëherë Ohri mund ta konfirmojë një marrëveshje të pranuar në Bruksel, apo mund ta komplikojë edhe më tutje këtë proces të dialogut. Mbetet të shihet prej palëve”, shtoi tutje Haziri.
Ndryshe Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë rruga drejt zbatimit të së ashtuquajturës, Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën dy shtetet kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt në Bruksel, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.