Haziri thotë se strukturat e LDK-së e mbështesin Isa Mustafën për kryeministër

21 prill 2020 | 13:18

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka siguruar mbështetjen e gjitha strukturave të partisë për të qenë edhe një herë kryeministër i Kosovës, në koalicionin e mundshëm me AAK-në dhe Nisma-AKR-në.

Kështu ka thënë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, derisa ka shtuar se gjithçka do të varet prej Mustafës.

“Krejt strukturat e LDK-së e mbështesin Isa Mustafën. Varet prej tij, a dëshiron me përsërit, sikur dy rastet e kaluara ku nuk e ka kandiduar vetën, por dikë tjetër. Mos e harroni këtë gjë”, ka thënë Haziri.

Ndonëse, Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të kaluara nuk ka dërguar ende mandatarin për kryeministër, presidenti, Hashim Thaçi ka dhënë sinjale që do të anashkalojë partinë e Albin Kurtit.

Në lidhje me këtë, Haziri ka thënë se ata do veprojnë vetëm në bazë të rrugës kushtetuese, që sipas tij e përcakton dikush tjetër.

“Nuk varet prej LDK-së, varet prej frymës kushtetuese. Rrugën kushtetuese e përcakton dikush tjetër. Ne vetëm mundemi me konfirmuar që Isa Mustafa e ka mandatin e Këshillit të Përgjithshëm dhe organeve të LDK-së për ndërtimin e shumicës parlamentare. Nëse LV-ja nuk e bën”, ka thënë ai.

I pyetur për mundësitë që gjatë ditës sotme të takohen kryetari i LDK-së, Isa Mustafa me presidentin, Hashim Thaçi, Haziri  është shprehur pesimist për një gjë të tillë.

“Nuk kam njoftim dhe nuk besoj që ka takim të tillë. Por unë nuk jam i njoftuar”, ka thënë Haziri.

Gjatë ditës djeshme, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nuk e mohuar mundësinë që të udhëheq qeverinë e re./Ksp/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bebe Rexha është emër i madh në skenën ndërkombëtare, si…