Haziri: Tregu i Gjelbër nis së ndërtuari në janar
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me Bordin e Drejtorëve, kanë mbajtur të martën takim publik me qytetarët.
Haziri në këtë takim ka kumtuar lajmin e nënshkrimit të projektit të ndërtimit të Tregut të Gjelbër, i cili do të nis në janar të vitit 2018, me financim të Komisionit Evropian. Ndërsa duke folur për punën e gjashtëmujorit të dytë të këtij viti, Haziri ka thënë se meqë ka pasur dy palë zgjedhje, kanë ndodhur disa vonesa në realizimin e projekteve.
Ai ka bërë me dije se në kohë fushate nuk ka pranuar të nënshkruaj kontrata me operatorët, në mënyrë që të mos ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.
Haziri ka theksuar se ka nënshkruar kontrata për ndërtim të infrastrukturës rrugore në fshatra në vlerë prej 2 milionë euro, të cilat do të realizohen sipas planit në vitin ardhshëm.