Haziri: Veriu është vrimë e zezë ku diçka tjetër është mbi shtetin
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri komentoi mbi gjendjen në veriun e Kosovës pas vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq në Mitrovicën Veriore.
Ai në emisionin “Jeta në Kosovë” Haziri deklaroi se ekziston një rrjet kriminal serb në veri i cili po fuqizohet edhe nga politikanë shqiptarë për shkak të nevojës së votave të pakicës për krijimin e qeverive.
Sipas tij, rajoni i veriut është shndërruar në një vrimë të zezë në të cilën po ka gjithnjë e më pak kontroll shteti i Kosovës.
“Milan Radojçiq është në vitet e fundit është figura kryesore politike në veri. Veriu fatkeqësisht është vrimë e zezë ku diçka tjetër është mbi shtetin. Po del ajo që e kemi pa apo në mënyrë figurative është quajtur ‘Territor i askujt’ .Autoriteti i Kosovës nuk po shkon deri në fund duke e ruajtur atë fragjilitet që nuk garanton asgjë”, deklaroi Haziri.
Ai po ashtu foli lidhur me politikat e tashmë të ndjerit Ivanoviq dhe mënyrën e vrasjes së tij që sipas tij ka qenë mirë e organizuar.
“Gjashtë plumba një politikanit në Kosovë… Ata e kanë ditë saktë çka po dojnë me bo edhe që nuk duhet me leju dështimin e aksionit. Reagimi i shqiptarëve ishte me një solidaritet. Është një figurë shumë kontraverse, në politikë ka hy me një mbështetje të Beogradit”, ka thënë Haziri.