Haziri: Vjosa nuk lëviz politikisht
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre ka dhënë maksimumin e saj, por se votat e saj janë edhe të LDK-së.
“Nëse dikush thotë se LDK-ja ka marrë aq vota me Vjosën unë them se ne mund të kishim marrë më shumë me ndonjë kandidat tjetër. Kjo është paragjykuese. Osmani ka treguar konsistencë politike ndaj rivalëve të saj dhe po të kishin votuar vetëm gratë ajo do të kishte fituar”.
“Maksimumi është bërë më 6 tetor. Shkaku kryesor i humbjes është agresiviteti i Vetëvendosjes karshi Vjosës në fushatë, karshi emrit personal të saj. Në fillim nuk është pranuar si kandidate e përbashkët. Në zgjedhje është luftuar emri dhe autoriteti i saj. Maksimumi politikisht është arritur. Vjosa Osmani ka qenë në konkurencën e saj më reja me moshë si profil politik, më e përfolura dhe më e sulmuara. Krejt partitë janë marrë me të”, ka thënë Haziri në Rubikon në Klan Kosova.
Ai ka thënë se Osmani nuk i përket grupit të atyre politikanëve që lëviz, grup për të cilin ai shprehu nënçmim.
“Ata që konvertohen politikisht fatin e kanë të dështojnë. Nuk ka tjetër përveçse familja jote që të pranon dhe ta njehë kontributin – vlen ajo shprehja guri i rëndë në vend të vet. Secili le ta mendojë vete se si ka hyrë dhe si dëshiron ta përfundojë. Partitë tjera të ndërrojnë si pampersa. Politikanët dhe njerëzit që donë të kenë konsistencë duhet të ruajnë familjen e vet politike. Nuk lëviz politikisht Vjosa. Nuk është në atë kategori të politikanëve”, ka deklaruar Haziri.