Hekuran Kryeziu dhe Anel Rashkaj emërohen ndihmëstrajnerë në ekipet kombëtare U21 e U19
Presidenti Agim Ademi ka pritur sot në takim dy ish-futbollistët e shquar të Kombëtares së Kosovës, Hekuran Kryeziun dhe Anel Rashkajn. Gjatë këtij takimi, presidenti Ademi i ka informuar ata për arritjet dhe projektet e realizuara nga FFK, si dhe për reformat e vazhdueshme që po zbatohen me qëllim të përmirësimit të organizimit të federatës dhe krijimit të kushteve më të mira infrastrukturore për futbollin në vendin tonë.
Në kuadër të këtyre reformave, presidenti Ademi ka marrë vendim që Hekuran Kryeziu të emërohet në pozitën e ndihmëstrajnerit te Kombëtarja U21, ndërsa Anel Rashkaj të emërohet ndihmëstrajner në Kombëtaren U19. Përveç angazhimit në Kombëtaren U19, Rashkaj do të jetë gjithashtu pjesë e Departamentit Teknik të FFK-së, duke kontribuar me përvojën dhe njohuritë e tij në zhvillimin e futbollit kosovar.
“Hekurani dhe Aneli kanë dhënë shumë për Kombëtaren tonë si lojtarë dhe tani është koha që ata të vazhdojnë të kontribuojnë në një rol të ri. Jam i bindur që përvoja e tyre do të jetë një aset i çmuar për të rinjtë tanë dhe zhvillimin e ekipeve tona zinxhirë të kombëtares”, tha presidenti Ademi.
Kryeziu dhe Rashkaj shprehën falënderimin e tyre për besimin e dhënë dhe shprehën gatishmërinë për të dhënë maksimumin në detyrat e reja.
“Jam shumë i lumtur dhe shumë krenar që përsëri jam pjesë e Federatës së Futbollit të Kosovës, tani në një aspekt tjetër, si trajner. Do të jem i angazhuar në Kombëtaren U19 dhe gjithashtu do të jem i angazhuar në Departamentin Teknik për zhvillimin e futbollit. Pas përvojës shumëvjeçare si futbollist në elitën e futbollit në Skandinavi dhe sidomos si lojtar i Kombëtares së Kosovës nga viti 2008, pas rrugëtimit të gjatë që kemi pasur, të rikthehem sërish është një kënaqësi e madhe. Mendoj dhe shpresoj që do të jap kontributin tim nga përvoja ime e gjatë si lojtar, por edhe në aspektin menaxherial që kam. E di saktësisht se në çfarë duhet të fokusohemi dhe do ta jap maksimumin tim”, tha Rashkaj.
“Jam shumë i lumtur të rikthehem në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe i falënderoj të gjithë për këtë mundësi. Unë do të jem ndihmës-trajner i Kombëtares U21 të Kosovës dhe shikoj përpara për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me trajnerin legjendar të Kosovës, Afrim Toverlani. Mezi po pres të nis këtë projekt”, tha Kryeziu.