Hekuran Murati raporton sot në Komisionin për Buxhet, shkak rritja e tatimit në pronë
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, sot do të raportojë në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Murati do të intervistohet nga deputetët anëtarë të Komisionit lidhur me vendimin për rritjen e vlerës së faturave të tatimit në pronë.
Mbledhja pritet të fillojë në orën 13:30 në Kuvendin e Kosovës.
Ndryshe, sipas MFPT, rritja e vlerësimit të pronave në treg, ka rritur automatikisht pagesën e tatimit në pronë për qytetarët e Kosovës.
Vlerësimi i pronës nga MFPT-ja, sipas Ligjit, realizohet në çdo tre ose pesë vjet. Vlerësimin e fundit Ministria e bëri vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari të këtij viti.
Në bazë të Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, i cili është ndryshuar, plotësuar dhe miratuar në vitin 2018, thuhet se Ministria e Financave menaxhon të dhënat e tatimit në pronë në regjistrat e tatimit në pronë, operon dhe mirëmban regjistrat e tatimit në pronë, publikon informacionet lidhur me tatimin në pronë, kryen vlerësimin e pronës dhe lëshon certifikatat e vlerës së vlerësuar.