Helmi mbi 20 vjeçar anti-UÇK-së s’hiqet lehtë
Agron Hoti
Në vitin 2000 Putini bëhet Kryetar i Rusisë. Qëllimi ishte rikthimi i kontrollit rus në Evropë dhe Azi. Çlirimi i Evropës Lindore dhe Juglindore (1990-2001) nga çizmja ruse nga Rusia ishte parë si disfatë e saj në Evropë. E rikthimi i Rusisë në Evropë (tanimë jo me ushtri si në komunizëm por me ekonomi) fillon më së pari në Gjermani përmes gazit rus.
Bumi ekonomik që po përjetonte Gjermania pas ribashkimit të saj, kërkonte para se gjithash energji. E Gjermania (ashtu sikurse Japonia) edhe sot vazhdon të jetë e varur nga importi i energjisë, gjë që e bën të cenueshme nga konfliktet në glob dhe për më tepër ia pamundëson të bëhet ndonjëherë Superfuqi.
Kështu, në vitin 2005 Gjermania shkon në zgjedhje të parakohshme. Fiton Merkel, kurse Schröder shkon menjëherë në Rusi, ku bëhet shef i Tubacionit të gazit 1 (Nordstream 1) që fillon në prill 2010 dhe përfundon në gusht 2011.
Se a kishte marrëveshje gjentelmene mes Merkel dhe Schröder për të siguruar qasje në resurse të lira ruse, historia do ta dëshmojë. E vërteta është se Merkel kurrë s’e ka kritikuar Schröderin për uljen e tij në kabinetin e Putinit si këshilltar dhe shef i Nord Stream 1.
Krahas eksportit të energjisë Rusia përmes shtrëngimit të evropianëve pati filluar rikthimin e aparatit të Millosheviqit në Serbi, sepse fitorja e shqiptarëve në Ballkan, nga Rusia ishte parë si humbje. Qëllimi i Rusisë ishte faktorizimi i serbëve në Ballkan dhe defaktorizimi i shqiptarëve, sepse vetëm kështu rikthehej lavdia ruse në Ballkan. Vetë fakti që në mars 2003 vritet Gjingjiq në Serbi dhe një vit më pas shpërthejnë trazira në Kosovë, e dëshmonte më së miri kursin prorus që do të merrte Serbia.
Kështu, në janar 2011 miratohet në Këshill të Evropës Raporti i Dick Martyt kundër UÇK-së dhe vetë shtetit të Kosovës që mezi po bëhej. Qëllimi ishte goditja dhe shkatërrimi i shtetit të Kosovës. Dy Raporte të mëhershme të Dick Martyt kishin goditur drejtëpërdrejtë CIA-n për kinse organizimin e burgjeve të fshehta në Evropë kundër terrorizmit. Mjerisht, sa më shumë që po goditej së brendshmi dhe së jashtmi Struktura Drejtuese e UÇK-së aq më shumë po degradonte në qeverisje, sidomos në korrupsion dhe shpërdorim brutal të burimeve njerëzore, si dy argumente të mjaftueshme për ta përshpejtuar rritjen e pakënaqësisë qytetare ndaj tyre. Dhe kështu edhe pati ndodhur.
Krahas Raportit të Dick Martyt fillon edhe fuqizimi i aparatit të Millosheviqit në Serbi. Më 25 prill 2012 hapet në Nish të Serbisë “Qendra ‘Humanitare’ Ruse”, si bazë e shërbimit sekret rus për të projektuar destabilizim në Ballkan. Si kundërpërgjigje ndaj këtyre projeksioneve ruse SHBA i mbyll njërin sy Kosovës për arsye të sigurisë që me firma amerikane të ndërtonte dy autostradat me Shqipëri dhe Maqedoni, kjo sepse Rusia tanimë kishte prezencë në Veri të Kosovës dhe në Nish të Serbisë dhe se kjo prezencë ruse shihej si rrezik për SHBA-të. Një gjendje e tillë vazhdon edhe sot, prandaj problemi i veriut të Kosovës kërkon zgjidhje politike e jo policore.
Jo rastësisht evropianët e detyruar nga rusët po kundërshtonin këto autostrada dhe po e luftonin politikisht Strukturën Drejtuese të UÇK-së për këto dy autostrada, në fakt për këto dy arterie të sigurisë amerikane në Kosovë. Sulmet e EULEX-it ndaj Strukturës Drejtuese të UÇK-së kinse për korrupsion ishin tërësisht politike.
Në korrik 2012 deri në 2014 Vuçiç bëhet Zëvendës Kryeministër i Parë i Serbisë, pra njeriu që kishte qenë Ministër Informacioni i Millosheviqit. Më 23 prill 2014 Kuvendi i Kosovës voton pro themelimit të Gjykatës Speciales. Menjëherë më 28 prill 2014 Vuçiç bëhet Kryeministër i Serbisë. Më 8 qershor 2014 në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 2014-tës evropianët po nxisnin partitë humbëse ta formonin qeverinë e Kosovës. Por, Gjykata Kushtetuese si stabilizatore e demokracisë i dha të drejtë partisë fituese. Përpjekjet e humbësve për ta formuar qeverinë ishin padyshim minim i demokracisë edhe ashtu të brishtë në Kosovë. Mezi bëhet koalicioni qeverisës, ndërsa pas zgjedhjeve të 2014-të Lista Serbe futet në Kuvendin e Kosovës. Qëllimi i Listës Serbe ishte të bëhej Kali i Trojës në Kosovë. Forcimi i Vuçiçit në Serbi nga evropianët e detyruar nga rusët, na e solli Listën Serbe në Kuvend.
Ndërkohë, Rusia po vazhdonte futjen nën kontroll të Evropës. Në maj 2017 Vuçiç bëhet Kryetar i Serbisë. Ndërtimi i tubacionit të gazit 2 (Nordstream 2) fillon në maj 2018 dhe përfundon në 2021, por nga presioni i SHBA-së nuk funksionalizohet kurrë. Siguria e Evropës përmes këtyre dy tubacioneve po rrezikohej gjithnjë e më shumë, saqë amerikanët u detyruan të tërhiqeshin sa më shpejtë nga Afganistani në 2021 për t’u barikaduar para Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.
Nga 2014 deri në 2020 evropianët e detyruar nga rusët nuk po linin gurë pa lëvizur për ta rritur pakënaqësinë në Kosovë e Evropë ndaj Strukturës Drejtuese të UÇK-së dhe ndaj SHBA-së, gjersa po investonin politikisht në shkallë të gjerë për ardhjen e një qeverie sa më anti-UÇK si dhe në rritjen e antiamerikanizmit. Nxitja e islamit politik nga Serbia, Rusia me aleatët e tyre evropianë po e rriste antiamerikanizmin çdo ditë e më shumë. Po nxitej me të madhe xhamijëzimi i Kosovës dhe diasporës.
Ishte ndërtuar një inxhiniering i tërë brutal kundër UÇK-së dhe Strukturës Drejtuese të saj. Dhe ai inxhiniering kryesohej nga Brukseli që kontrollohej nga Moska e deri diku edhe Pekini, pastaj nga rrethi i ambasadorëve evropianë që bënin deklarata pothuajse ditore kundër Strukturës Drejtuese të UÇK-së, nga një pjesë e madhe e shoqërisë civile të varur nga donacionet e jashtme, nga media e opinionistë të ndryshëm, nga fetarë të ndryshëm që po mundoheshn ta islamizonin luftën e UÇK-së sipas interesave serbe e ruse, nga opozita e asaj kohe që po bënte agresion mbi shtetin e Kosovës, si dhe nga fake news nga Rusia e Serbia që i frynin përçarjes brutale derisa qe paralizuar vendimmarrja politike në Kosovë.
Ky inxhiering disavjeçar ia kishte dalë që ta helmonte aq shumë popullin e Kosovës dhe diasporën tonë, saqë një pjesë jo e vogël jona vazhdon edhe sot ta barazojë Stukturën Drejtuese të UÇK-së me Millosheviçin saktësisht siç kishte investuar Serbia dhe Rusia me ndihmën e miqve të tyre evropianë bashkë me armatën kinseshqiptare në Kosovë.
Dërgimi i Krerëve të UÇK-së në Hagë në fund të vitit 2020 i hapi rrugë ardhjes së qeverisë së mbështetur nga evropianët e detyruar nga rusët. Jo rastësisht Qeveria e Kosovës nga 2019 e deri në fund të 2024 po refuzonte çdo gjë amerikane duke filluar nga politika amerikane e deri te investimet amerikane. Vetë fakti që Qeveria aktuale e Kosovës e pati refuzuar Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, por s’pati refuzuar asnjë nga Marrëveshjet e Brukselit që sa ishte në opozitë i quante tradhëtare, e tregon më së miri hipotekën e saj përballë evropianëve. Prandaj, jo rastësisht Uashingtoni ia mbylli dyert qeverisë aktuale.
Por, agresioni rus në Ukrainë dhe rezistenca e kësaj të fundit ua prishi të gjitha matematikat evropianëve në Rusi, Evropë, Ballkan dhe Kosovë. Dhe prishja e matematikave ndodhi kështu: kërcënimi rus i ktheu të gjitha shtetet evropiane kah SHBA. Perëndimi u bë një kundër Rusisë në Ukrainë. Alamet shtete evropiane filluan t’i gjunjëzoheshin SHBA-së.
Fatmirësisht, Shqipëria e kapi hapin historik duke hyrë në projeksione perëndimore dhe duke u faktorizuarr si asnjëherë më parë në histori. Ndërsa Kosova e humbi shansin duke u defaktorizuar si asnjëherë më parë që pas çlirimit, sepse në vend që të koordinohej me Perëndimin, doli hapur kundër tij, ndaj edhe u fut nën sanksione perëndimore si e vetmja në Evropë. Prandaj, Kosova hyn në zgjedhje parlamentare me pozicionin më të dobët ndërkombëtar që nga viti 1999.
Helmimi mbi 20 vjeçar, të cilin evropianët dhe rusët e kishin mbjellë në Kosovë kundër Strukturës Drejtuese të UÇK-së duke e quajtur çdo gjë “shkatërrim 20 vjeçar” nuk po ia del ta shërojë opinionin publik në Kosovë e diasporë, prandaj edhe shkalla e antiamerikanizmit vazhdon të jetë aq e lartë sa t’i shqetësojë edhe vetë amerikanët që e patën thënë edhe vetë publikisht. Një helmim që mbillet gjatë, merr pothuajse të njëjtën kohë për t’u shëruar.
Do të duhet kohë e gjatë derisa opinioni publik në Kosovë dhe diasporë të shërohet për rolin e pazëvendësueshëm historik të Strukturës Drejtuese të UÇK-së që nga viti 1998-2019 kishte shkelë nëpër kancelaritë perëndimore më shumë se çdokush deri me sot dhe ku si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe koordinimi Kosova ishte çliruar, pavarësuar dhe shtetndërtuar për herë të parë në histori.
Nëse Administrata Trump 2 do ta përshpejtojë mbylljen e Gjykatës Speciale në këtë vit apo më së largu vitin që vjen, atëherë kjo pashmangshëm do ta rikthejë lavdinë e çlirimtarëve që vazhdojnë të paguajnë çmim lirie në Hagë. Mbase mbyllja e Speciales do t’ua mbyllë gojën dhe sponsorëve të Speciales si Rusia, Kina, Serbia, evropianët dhe një armatë e tërë kinseshqiptarësh në Kosovë duke ua bërë të gjithëve të qartë se UÇK s’kishte bërë kurrfarë krime përpos luftës së drejtë dhe të imponuar çlirimtare. Mbyllja e Speciales do ta fuqizojë para se gjithash shtetin e Kosovës drejt konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe integrimit transatlantik.
11 janar 2025
A.H.