Helmimi në Deçan, prokurori thotë se çdokush ka mundur të ketë qasje në pusetat e ujit

07 shkurt 2022 | 13:00

Prokuroria Themelore e Pejës ka dhënë detaje rreth helmimit të mbi 1 mijë e 500 personave në korrik të vitit të kaluar.

Prokurori i rastit, Dorjan Juniku, në një konferencë për media ka deklaruar se është ngritur aktakuzë kundër dy zyrtarëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Pejë “Hidrodrini”.

Juniku ka thënë se rreziku deri të helmimi i qytetarëve nga uji i pijshëm është shfaqur qoftë nga mossigurimi i pusetave, ku sipas tij, gjithkush ka mundur të ketë qasje për të ndërmarrë çfarëdo veprimi, si dhe nga mungesa e testimit të ujit të pijshëm dhe klorizimi i tij.

“Rreziku i përgjithshëm është shfaqë qoftë me mossigurimin e pusetave, ku ka mundur gjithkush të ketë qasje dhe të ndërmerr çfarëdo qoftë veprimi pa pasur ndonjë pengesë, por edhe nga mungesa e klorit rezedual që në rastin konkret flet qartë që testimet nuk kanë qenë të rregullta, sepse po të kishin qenë të rregullta, edhe organi kompetent, në këtë rast ‘Hidrodrini’ do të ishte në kohë me gjendjen e ujit të pijshëm se a është uji sipas standardeve apo jo”, ka deklaruar Juniku.

Juniku ka thënë se për një kohë të gjatë, klorizimi është bërë në mënyrë manuale dhe jo sipas klorimetrit automatik me injektim.

“E sidomos fakti se edhe klorizimi i ujit një kohë të gjatë, deri pas shpërthimit, është bërë në mënyrë manuale dhe jo sipas klorimetrit automatik me injektim, i cili e bon klorozimin e ujit 24 orë pa ndërpre dhe vetëm ai ujë mund të konsiderohet si ujë i pijshëm dhe sipas standardeve, gjë që është vendosur vetëm pas shpërthimit të helmimit”, ka deklaruar Juniku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izraeli ka anuluar kërkesën e dëshmisë së vaksinimit për koronavirus,…