Hendbolli fillon me shumë derbi

11 shkurt 2022 | 17:54

Ndeshje interesante dhe cilësore priten në xhiron e parë të stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt).

Ndeshjet e xhiros së 15 të kampionatit të Kosovës në hendboll luhen këtë fundjavë. Janë disa ndeshje që pritet të jenë të bukura për tifozët e hendbollit. Dy skuadrat me traditë, Besa Famgas e Kastrioti, takohen të dielën në orën 18:00. Me marrëveshje të dy skuadrave, kjo ndeshje luhet në Ferizaj. Kastrioti së fundi ka angazhuar disa lojtarë të huaj dhe sinjalet e përmirësimit pritet t’i japë që në këtë ndeshje.

Ndërkohë Besa Famgas synon të vazhdojë me fitore. Skuadra pejane Besa Famgas udhëheq në tabelë me 28 pikë. I ka fituar 14 ndeshjet e deritashme. Kastrioti është i pesti me 14 pikë. Vëllaznimi – Llapi është tjetër ndeshje me peshë që luhet të dielën. Kjo ndeshje zhvillohet në Gjakovë nga ora 17:30. Vëllaznimi i ka 10 pikë në vendin e gjashtë, aq sa edhe Llapi në të shtatin. Është ndeshje me rëndësi për Superligën A.

Të shtunën janë tri ndeshje. Vëmendja do të jetë në kryeqytet ku takohen Prishtina e Trepça. Ndeshja e dy skuadrave të kreut fillon në orën 19:00. Në Mitrovicë, në vjeshtë, Prishtina kishte fituar me një gol dallim. Andaj me të drejtë pritet lojë e fortë dhe interesante. Dy ndeshjet e tjera të së shtunës janë Deçani – Zhegra (19:00), Rahoveci – Drenica (19:00).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këto ditë, duket sikur telefonat inteligjentë bëhen të vjetëruar pas…