Hendbollistet i luajnë ndeshjet e xhiros së katërt
Të shtunën e të dielën luhen ndeshjet e javës së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Skuadrat favorite nuk pritet të kenë shumë telashe për të fituar pikët e reja, ndërkohë që në disa ndeshje pritet rivalitet më i madh.
Shqiponja-Jusuf Gërvalla është ndeshja e parë, që luhet të shtunën prej orës 14:00 në Gjakovë. Shqiponja i ka 4 pikë në vend të gjashtë. Dy vende më poshtë në tabelë me dy pikë më pak është Jusuf Gërvalla.
Në Gjakovë luhet edhe ndeshja mes Vëllaznimit dhe Ferizajt. Ky takim është të shtunën nga ora 17:00. Mysafiret janë favorite, por lojtaret e Vëllaznimit do të bëjnë më të mirën për të ndalur pikët.
Ndërkohë Istogu është favorit i madh në takimin ndaj Ulpianës, që luhet nga ora 18:00. Tri ndeshje tjera janë të dielën. Prishtina nga ora 18:00 takohet me Vjosën në Shtime. Prej orës 13:00 Vushtrria e pret Dritën, ndërsa takimi Samadrexha – Kastrioti është nga ora 16:30.