Hendersoni kërkon fitore ndaj Kosovës
Jordan Henderson është i vetëdijshëm se Kosova është ekip që luan me krenari, por këmbëngul se Anglia është shumë e bashkuar dhe do të luajë për të fituar në ndeshjen e sotme kualifikuese për Euro 2020.
Anglia është nikoqire e Kosovës në stadiumin St Mary’s në Southampton, në duelin mes dy skuadrave të pamposhtura në Grupin A që nis në orën 20:45.
“Tre luanët” janë lider të grupit me 9 pikë nga tri ndeshje dhe ndiqen nga Kombëtarja dardane që ka një pikë më pak por pas katër ndeshjeve. Mesfushori i Liverpoolit, Henderson pohon se Anglia është më e bashkuar se kurrë dhe ndaj Kosovës synon tri pikët e radhës.
“Ne do ta mbështesim njëri-tjetrin, do të luftojmë për njëri-tjetrin dhe ne të gjithë e duam të njëjtën gjë dhe e kemi të njëjtin synim. Kosova është vend krenar, por edhe ne jemi. Për ne, Kupa e Botës ka qenë një pikë kthese për marrëdhëniet tona me tifozët. Ndiej se ata do të ngazëllehen për Anglinë përsëri. Sa herë që e veshim këtë fanellë, ne duam të japim gjithçka që mundemi nga vetja, pavarësisht se ndaj kujt luajmë dhe duam ta fitojmë çdo lojë, prandaj e njëjta vlen edhe për këtë ndeshje (me Kosovën)”, ka shtuar Henderson.