Henry, Mbappes: Mendon se je më i rëndësishëm se PSG-ja?
Kylian Mbappe zgjodhi në verë rinovimin dhe qëndrimin te PSG-ja përpara transferimit si lojtar i lirë te Reali i Madridit.
Kampionët e Francës i dhuruan sulmuesit një kontratë faraonike dhe i plotësuan çdo dëshirë, por raporti mes tij dhe klubit është prishur.
23-vjeçari është mërzitur në kryeqytetin francez dhe ka pakënaqësi rreth pozicionit në fushë, pasi nuk dëshiron të luajë në krah, ndërkohë që shumë po flitet për një largim të tij në merkaton e janarit.
Thierry Henry, ish-sulmuesi i madh francez, i cili aktualisht është pjesë e stafit teknik në kombëtaren e Belgjikës, ka komentuar situatën për “CBS Sports”. “Ka diçka që vlen më shumë se çdo futbollist: ky është klubi. A e di Mbappe dhe a është i vetëdijshëm që PSG-ja është më i rëndësishëm se ai? A e di këtë Kylian apo mendon se është më i rëndësishëm se vetë klubi?”, ka thënë Henry.
“Akoma nuk i di me saktësi shkaqet pse Mbappe është mërzitur, por dua të flas në lidhje me diçka që më ka ndodhur edhe mua. Mua nuk më pëlqente të luaja në krah te Barcelona, e urreja një gjë të tillë, por gjithmonë zbrisja në fushë dhe luaja në krah për të mirën e skuadrës. Ekziston vetëm një rregull: nëse trajneri të jep një urdhër, ti e zbaton atë për të mirën e të gjithëve. Nëse nuk je i sigurt për ta bërë, atëherë duhet të ulesh të bisedosh me trajnerin. Kaq e thjeshtë është”, ka shtuar Henry, i cili në vitin 2007 u transferua nga Arsenali te Barcelona dhe fitoi Ligën e Kampionëve me ekipin katalanas dy vjet më vonë.