Henry: Një ëndërr nëse do ta pasoja Wengerin
E ardhmja e Arsene Wenger në krye të stolit të Arsenalit është gjithnjë e më e paqartë.
Sipas asaj që raporton e përditshmja “Daily Mail”, trajneri francez nuk i është përgjigjur një pyetjeje mbi mundësinë që ky të jetë sezoni i tij i fundit te “topçinjtë”, duke shtuar kështu zërat që e shohin atë larg Arsenalit, ose shumë pranë “lamtumirës” me londinezët.
Ndërkohë, i pyetur nëse mund të jetë ai pasardhësi i Wenger te “topçinjtë” e Londrës, kryegolashënuesi i të gjitha kohërave, Thierry Henry është shprehur tepër entuziast, madje ka theksuar se “do të ishte një ëndërr”.
“Kam ende punë për të bërë me Belgjikën, por do të presin e të shohim se çfarë mund të ndodhë”, ka shtuar ish-sulmuesi i Juventusit dhe Francës për “Sky Sports”. Aktualisht, Henry është pjesëtar i stafit teknik të Belgjikës.
“Do të ishte një ëndërr e bërë realitet për mua, por jam ende i impenjuar me Belgjikën. Nëse më intereson? Sigurisht, kush nuk do të donte të drejtonte Arsenalin?”, përfundon Henry. (TCH)