Henry, trajner i Monacos
Thierry Henry rikthehet në shtëpi por tashmë në rolin e trajnerit.
Ish-sulmuesi i kombëtares franceze është zyrtarizuar si pasuesi i Leonardo Jardim në stolin e Monacos skuadër tek e cila hodhi hapat e parë si futbollist dhe luajti nga viti 1993 deri në 1999-ën duke zhvilluar në total 141 ndeshje dhe duke realizuar 28 gola. Pas eksperiencës 2-vjeçare te Belgjika si zëvendës i Roberto Martinez, 41-vjeçari do të nisë një detyrë të re atë të trajnerit të parë dhe që në start do të ketë misionin e vështirë për të ringritur një skuadër si Monaco që e ka nisur në mënyrën më të keqe këtë sezon.
Nuk bëhen të ditura termat e kontratës ndërkohë që vetë Henry është shumë i lumtur për këtë aventurë teksa për faqen zyrtare të klubit francez shprehet: “Në rradhë të parë dua të falenderoj Monacon për këtë mundësi që po më jep. Të jem trajneri i kësaj skuadre është diçka speciale për mua. Jam i lumtur që jam rikthyer te Monaco dhe shumë i vendosur për të përmbushur me sukses misionet që kam përpara. Po pres me padurim për të takuar lojtarët nga afër dhe për të nisur punën sëbashku”, thekson Thierry Henry. Ish bomberi i Arsenalit dhe Barcelonës tashmë duhet të rikthejë Monacon në shinat e duhura pasi Jardim në 9 javë kampionat e ka lënë skuadrën në zonën e rënies nga kategoria në vendin e tretë nga fundi në Ligue 1 dhe ka pësuar dy humbje në 2 takime në grupin A të Champions League.