‘Heqja e ndalesës për mallrat serbe në këmbim të shfuqizimit të masave nga BE-ja’
Qeveria e Kosovës në periudhën e ardhshme do të duhej të anulonte vendimin për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi, por pret që edhe Bashkimi Evropian (BE) t’i anulojë masat ndëshkuese ndaj Prishtinës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë (REL)”, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Siç ka shpjeguar ai, anulimin e vendimit për ndalimin e importit të mallrave serbe ia kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përveç tij edhe “disa diplomatë ndërkombëtarë”.
Sipas Rashiqit, përgjigja e Kurtit ka qenë se ai, si kryeministër, dëshiron shtensionimin e plotë, por “që Bashkimi Evropian duhet të tregojë njëfarë mirëkuptimi”.
“Është një nga hapat e parë që do të ndjekim. Se a do të përfshihet së bashku në paketë (heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe masat e BE-së ndaj Kosovës), nuk mund t’ju them tani, por është sigurisht gjëja e parë që do të jetë në agjendën tonë”, ka thënë Rashiqi.
Megjithatë, ai nuk ka specifikuar datën e saktë apo në çfarë afati kohor duhet të merren këto vendime.
Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”.
Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur. Ndërkohë, lejohet hyrja e kamionëve me targa të Serbisë, por jo edhe qarkullimi i mallrave serbe.
Dy muaj më vonë, një nga rezultatet e këtij vendimi është se pothuajse nuk ka produkte nga Serbia në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, për çfarë ka shkruar “REL”-i në fund të korrikut.
Siç kanë thënë banorët e Mitrovicës së Veriut dhe disa nga biznesmenët, për shkak të mungesës, ata i zëvendësuan produktet serbe “kundër vullnetit të tyre” me ato nga vendet e rajonit.
Nga ana tjetër, në fund të qershorit, BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës, sepse nuk i ka ndërmarrë hapat e duhur për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës. Disa nga masat e marra ndaj Kosovë janë pezullimi i përkohshëm i punës së të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe pezullimi i ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nivelit të lartë.
Më pas, më 10 korrik, Kosova ka arritur një marrëveshje me BE-në për shtensionimin e situatës në veri dhe deri më tani ka ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë e kanë kundërshtuar këtë gjë dhe kanë organizuar protesta, të cilat patën kulmuar në dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast janë lënduar dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Rashiqi: Interesat strategjike bëjnë të mundur që të gjithë të fitojnë
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka vlerësuar se procesi i deeskalimit të situatës në veri të Kosovës është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe se në këtë moment “të gjithë duhet të jenë të durueshëm, tolerantë dhe të arsyeshëm”.
Ai ka thënë se anulimi i vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia do të bëhet me qëllim të shtensionimit të mëtutjeshëm, por rithekson se Kosova “duhet të marrë diçka”.
“Ju e dini si është në politikë, ju jepni diçka, ne japim diçka. Këto janë interesa strategjike që i lejojnë të dyja palët të fitojnë dhe nuk kam asnjë problem me këtë, sepse vetë diplomacia do të thotë të ‘tolerosh’ palën tjetër për të marrë vendime të arsyeshme”, ka thënë Rashiq.
Bashkimi Evropian nuk i është përgjigjur pyetjes së “Radios Evropa e Lirë” nëse po shqyrtohet heqja e masave ndaj Kosovës.
Burime diplomatike të “REL”-it në BE kanë thënë më herët se heqja e masave ndëshkuese do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë Prishtina.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka deklaruar më 10 gusht se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë më shumë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri dhe se blloku evropian është i gatshëm të marrë masa kundër Serbisë nëse nuk bashkëpunon për këtë çështje.
Ai ka nënvizuar se masat e BE-së varen nga mënyra se si Prishtina dhe Beogradi i qasen shtensionimit dhe kthimit në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
Ambasada e SHBA-së: Shmangni veprimet që çojnë në përshkallëzim
Në një përgjigje për “Radion Evropa e Lirë”, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Kosovë, ka theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për të promovuar qarkullimin e lirë ndërkufitar të mallrave dhe jo të ndërmarrin veprime që do ta pengonin atë.
“U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të de-përshkallëzojnë tensionet, të shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe t’i kthehen menjëherë dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve] të udhëhequr nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja e Ohrit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës. Aty shtohet se ky qëndrim i ShBA-së i është përcjellë kryeministrit Kurti dhe nga sekretari i shtetit, Antony Blinken, më 26 qershor.
Që nga fundi i majit, ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore i kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i kthehen dialogut pas tensioneve të shtuara në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në mars të këtij viti, të dyja palët kanë rënë dakord në Ohër për zbatimin e disa pikave nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin e Bashkimit Evropian. Ajo marrëveshje duhet të zgjidhë një numër të madh çështjesh të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndalimi i importit të mallrave nga pikëpamja e biznesmenëve
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka vlerësuar se vendimi i Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia “e ka përmbushur qëllimin e tij” dhe shton se të dyja palët tani duhet të punojnë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.
Ai ka treguar se përveç Serbisë, dëme pësojnë edhe biznesmenët kosovarë që importojnë lëndë të parë nga ky vend.
“Sipas vlerësimit tonë (Aleanca për Biznesin Kosovar), Serbia ka humbur rreth 60 milionë euro për shkak të ndalimit të eksporteve në Kosovë, po ashtu edhe Kosova ka humbur disa milionë euro në eksport për shkak të mungesës së lëndëve të para [të cilat i importon nga Serbia]”, ka thënë Shahini për “Radion Evropa e Lirë”.
Ai ka thënë se AKB-ja po përpiqet t’i “bindë” të dyja qeveritë që të sigurojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.
Ndërsa Sasha Sekuliq nga Shoqata e Biznesmenëve Serbë në Kosovë, ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që Prishtina zyrtare “sanksionon” mallrat nga Serbia dhe shton se në shekullin XXI “është diçka që s’mund ta marrësh me mend që të mos ketë qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve”.
“Dikush që aspiron të jetë anëtar i BE-së, nga ana tjetër, ndalon qarkullimin e mallrave. Ndalimi i importit të mallrave dhe Bashkimi Evropian nuk shkojnë bashkë”, ka thënë ky biznesmen.
Ai beson se ndalimi i importit të mallrave me origjinë nga Serbia prek kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, por thekson se dëme kanë pësuar edhe biznesmenët shqiptarë.
“Artikujt ndërrohen, por janë më të shtrenjtë. Sot çmimi i transportit ndikon shumë në çmimin e produktit dhe nuk mund të jetë i njëjti çmim i mallrave që vijnë, për shembull, nga Pozharevaci (qytet në Serbi) dhe Polonia apo Turqia”, ka thënë Sekuliq për “REL”-in.
Vendimet politike dhe pasojat ekonomike
Shahini dhe Sekuliqi janë pajtuar se situata e paqëndrueshme politike ndikon negativisht në ekonomi dhe shtojnë se është koha që biznesmenëve t’u lehtësohet puna.
Në këtë kontekst, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka vlerësuar se “politika po shkatërron ekonominë” në vendet e rajonit dhe nënvizon se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve sa më parë.
“Po e mbajnë popullin nën tension të panevojshëm, tensionet po e shkatërrojnë rrugën e integrimit dhe të investimeve. Tensionet nuk i kanë sjellë askujt të mira, as neve e as Serbisë”, ka thënë ai.
Sekuliq, po ashtu, ka theksuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka vite që po vazhdon, por marrëdhëniet në terren ende nuk janë të relaksuara, prandaj edhe atmosfera për biznes nuk është e mirë.
“Në vend që t’u lejojmë biznesmenëve dhe qytetarëve një qarkullim më të lehtë të mallrave, si dhe njerëzve, ne kemi ndalime”, ka thënë ai ai.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershor të vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej afro 34 milionë eurosh. Të dhënat e qershorit të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë rënie të importit të produkteve serbe, përkatësisht vlera e mallrave të importuara nga Serbia është rreth 13 milionë euro.