Heqja e taksës do ta kthente Kosovën në pozicion edhe më të keq
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se punësimet politike, familjare dhe klanore janë vetëm një nga arsyet e shumta që Kosova nuk e meriton të udhëhiqet nga qeveria aktuale.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se sa më shpejt që të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme aq më shumë do të shpëtojmë nga ajo që tashme po i shkaktohet Kosovës.
“Shpeshherë pyetemi se a duhet të bjerë qeveria për shkak të taksës ndaj Serbisë. Natyrisht se përgjigjja jonë është se ka arsye të tjera pse qeveria duhet të bjerë. Një nder arsyet se përse Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve është edhe keqqeverisja deri në degradim”, ka thënë Selimi, duke shtuar se shkuarja në zgjedhje të reja dhe ndryshimi edhe i mënyrës së qeverisjes me një frymë tjetër shtetbërëse, është zgjidhja e vetme.
Duke folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe presionit ndërkombëtar për pezullimin e kësaj takse, deputeti Selimi ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej që ndaj Serbisë të aplikonte reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Sipas tij, taksa do të mund të ishte vetëm një nga veprimet e Kosovës për aplikim të këtij reciprociteti.
“Kosova e ka ndërmarrë tashmë veprimin e aplikimit të taksës. Heqja e kësaj mase do ta kthente Kosovën në pozicion edhe më të keq sesa që ishte në ditën kur nuk kishte taksë. Prandaj, pavarësisht prej dilemave të dikujt ose kundërshtimeve, qoftë të Thaçit dhe të Serbisë, taksa duhet të qëndrojë”, ka thënë Selimi.
Në këtë intervistë Selimi ka folur edhe për Ligjin për dialogun me Serbinë, ku Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me LDK-në, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka ritheksuar se Lëvizja Vetëvendosje i kundërshton negociatat me Serbinë si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë juridik. Selimi ka thënë se në përputhje me këtë qëndrim kanë kundërshtuar edhe Projektligjin për dialogun të sponsorizuar nga partnerët dhe aleatët e koalicionit qeverisës.
“Në kuadër të veprimeve tona, këtë ligj tashmë e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese për arsye se i njëjti shkel nenet thelbësore të Kushtetutës së Republikës që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Në ndërkohë, ky ligj krijon një organ jokushtetues siç është i ashtuquajturi delegacioni shtetëror për negociata me Serbinë dhe i njëjti i mbivendoset Kuvendit dhe Qeverisë. Prandaj, të drejtën ekskluzive për politikën e jashtme e ka dhe duhet ta ruajë Qeveria, njëkohësisht Kuvendi që e mbikëqyr atë. Po ashtu, pushteti ka tentuar që këtë ligj t’ua mbivendosin marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Selimi. Ai ka theksuar se presin që Kushtetuesja ta marrë vendimin e drejtë në mbrojtje të sovranitetit të vendit.
“Epoka e re”: Z. Selimi, Lëvizja Vetëvendosje së bashku me LDK-në e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për dialogun me Serbinë. Pse ndërmorët këtë veprim dhe çka nëse Kushtetuesja nuk e merr parasysh kërkesën tuaj?
Selimi: Fillimisht ritheksoj se ne i kundërshtojmë negociatat me Serbinë në aspektin politik dhe në aspektin juridik. Në përputhje me këto qëndrime e kemi kundërshtuar edhe Projektligjin për dialogun të sponsorizuar nga partnerët dhe aleatët e koalicionit qeverisës. Kurse, në kuadër të veprimeve tona, këtë ligj tashmë e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese për arsye se i njëjti shkel nenet thelbësore të Kushtetutës së Republikës që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Në ndërkohë, ky ligj krijon një organ jokushtetues siç është i ashtuquajturi delegacioni shtetëror për negociata me Serbinë dhe i njëjti i mbivendoset Kuvendit dhe qeverisë. Prandaj, të drejtën ekskluzive për politikën e jashtme e ka dhe duhet ta ruaj qeveria, njëkohësisht Kuvendi që e mbikëqyr atë. Po ashtu, pushteti ka tentuar që këtë ligj t’ua mbivendosë marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne kërkojmë dhe presim që Kushtetuesja ta marrë vendimin e drejtë në mbrojtje të sovranitetit të vendit. Nëse kushtetuesen e mban eventualisht nën kontroll pushteti, këtë kontroll nuk do të mund ta aplikojë ndaj nesh dhe ndaj qytetarëve që janë të gatshëm më shumë se kurrë për protesta edhe më masive, edhe më të vendosura sesa më parë.
“Epoka e re”: Pavarësisht prej qëndrimeve të dy subjekteve më të mëdha opozitare, pozita dhe PSD-ja janë të gatshme ta vazhdojnë dialogun me Serbinë. Mund të ketë pasoja vendi nëse nuk arrihet unitet për këtë çështje?
Selimi: Ata nuk do të duhej të vazhdonin me shkeljet e radhës sepse, në ndërkohë, në Gjykatën Kushtetuese kemi kërkuar edhe masën e përkohshme të mosveprimit që ka të bëjë me këtë çështje. Po ashtu, kemi kërkuar edhe seancë dëgjimore publike në Gjykatën Kushtetuese për ballafaqimin e argumenteve juridike në mes të palëve. Pushteti dhe aleatët e tyre në grupin negociator nuk duhet të vazhdojnë me veprime antikushtetuese. Vendi mund të ketë pasoja edhe më të mëdha nëse edhe ne do t’u bashkoheshim atyre që po marrin veprime në dëm të sovranitetit. Pra, është pozitive që nuk ka unitet për veprime negative.
“Epoka e re”: Qeveria ndodhet në një presin të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët për pezullim të taksës. Tashmë edhe brenda vendit janë shtuar zërat se kjo taksë duhet të pezullohet. Si duhet të veprojë qeveria në këtë rast?
Selimi: Qeveria e Kosovës do të duhej që ndaj Serbisë të aplikonte reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Taksa do të mund të ishte vetëm një nga veprimet e Kosovës në aplikim të këtij reciprociteti. Kosova e ka ndërmarrë tashmë veprimin e aplikimit të taksës. Heqja e kësaj mase do ta kthente Kosovën në pozicion edhe më të keq sesa që ishte në ditën kur nuk kishte taksë. Prandaj, pavarësisht prej dilemave të dikujt ose kundërshtimeve, qoftë të Thaçit dhe të Serbisë, taksa duhet të qëndrojë.
“Epoka e re”: Qeveria aktuale së fundi është vënë në thumb të kritikave për punësime politike dhe nepotizëm. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Selimi: Shpeshherë pyetemi se a duhet të bjerë qeveria për shkak të taksës ndaj Serbisë dhe natyrisht se përgjigjja jonë është se ka arsye të tjera pse Qeveria duhet të bjerë. Një ndër arsyet se përse Kosova duhet të shkojë drejt zgjedhjeve është edhe keqqeverisja deri në degradim. Punësimet politike, familjare dhe klanore janë vetëm një nga arsyet e shumta që Kosova nuk e meriton të udhëhiqet nga një qeveri e tillë. Prandaj sa më shpejt që të shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme aq më shumë do të shpëtojmë nga ajo që tashmë po i shkaktohet Kosovës.
“Epoka e re”: Si mundësi për daljen e vendit nga kjo situatë është përmendur një qeveri gjithëpërfshirëse dhe zgjedhjet e parakohshme. Cila është alternativa më e mirë?
Selimi: Nuk pret puna dhe nuk e kemi komoditetin që të presim duke shpresuar përmirësim të gjendjes përderisa po përshkallëzohet keqqeverisja, nepotizmi, korrupsioni dhe krimi i organizuar. Prandaj, shkuarja në zgjedhje dhe ndryshimi edhe i mënyrës së qeverisjes me një frymë tjetër shtetbërëse, është zgjidhja e vetme. Sa më shpejt aq më mirë. Nga zgjedhjet kanë frikë vetëm ata që qeverisin keq dhe ata që tashmë e dinë se e ardhmja e tyre do të jetë së paku në opozitë. Meqë është kështu, zgjedhjet janë zgjidhja.
(Muhamet Koci)