Hernandez shpëton Milanin nga humbja
Theo Hernandez është shpëtimtari i Milanit në mungesë të Ibrahimoviq. Kuqezinjtë falë tij evituan humbjen ndaj Parmës, duke mos shkuar më shumë se një barazim 2-2 në “San Siro”
Parma zhbllokoi shumë shpejt ndeshjen që në minutën e 13-të me Hernanin, i cili e dërgoi në mënyrë perfekte topin në rrjetë pas një pasimi të Gervinhos. Milani reagoi mjaft mirë duke ju afruar golit disa herë, por traversa e ndali tri herë nga goli i barazimit.
Në momentin më të mirë të kuqezinjve, Parma godet sërish duke shënuar dhe golin e dytë me Kurtic, i cili mposht Donnarumma-n me kokë. Dy minuta më pas Milani rihapi ndeshjen me Theo Hernandez, ndërkohë që në minutën e parë shtesë do të shënonte me të majtën golin e barazimit. Skuadra e Piolit gjithsesi mbetet në vendin e parë me 27 pikë, 3 më shumë se Interi, e 4 më shumë se Juventusi dhe Napoli.