Heroi e heroina, Fehmi e Xhevë Lladrovci, mbesin të pavdekshëm për kombin!
Shkruan Lulzim Nika
Me nderim të thellë, kujtojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë, që ranë për të mos vdekur kurrë, gjatë shtatorit të përgjakshëm të vitit 1998.
Erdhi, edhe një Përvjetor i heronjve të pavdekshëm Fehmi e Xhevë Lladrovci!
Flijimi i tyre dhe luftëtarëve tjerë u bënë gur themel i Shtetit të Kosovës.
Porosia e tyre dhe flijimi i tyre është përherë frymëzim për ne!
Me pietet të lartë, kujtojmë në këtë Shtator, 22 vjetorin e rënies heroike, përkujtojmë ideologun dhe strategun e UÇK-së, Fehmi Lladrovci.
Nuk është vështirë të shkruash për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të devotshëm të luftës së UÇK-së, siç ishin Fehmi dhe Xheva Lladrovci, të cilët ishin frymëzim i fuqishëm për luftëtarët e UÇK-së, të cilët mbanin lartë moralin e luftës për të qëndruar deri në fitore.
Ardhja e Fehmiut dhe Xhevës nga mërgimi në Kosovë, në Mars të vitit 1998, shënon një nga ngjarjet kulmore të historisë sonë të re, pasi që kjo ishte dëshmia më madhe se lufta e Komandantit Legjendar Adem Jashari, nuk do të ndalet deri në çlirim, duke qenë edhe Fehmiu njëri nga luftëtarët më të shquar të Luftës Çlirimtare. Por, Fehmi Lladrovci e bënte dallimin dhe shquhej pos si luftëtar, ishte edhe vizionar, kjo edhe u dëshmua me angazhimet e tij të shumta në sferën e ndërkombëtarizimit të luftës së drejtë të popullit të Kosovës dhe angazhimin në sferën diplomatike.
Marrëdhëniet e UÇK-së me faktorin politik dhe diplomatik, si të faktorit të jashtëm dhe të brendshëm, përfshirë këtu edhe shtetin shqiptar, ishin plotë sfida dhe vështirësi, sepse qëllimi kryesor ishte legjitimimi dhe profilizimi politik dhe ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në maj të vitit 1998, më shumë se 22 vite më parë, Televizioni më prestigjioz dhe më me ndikim në krijimin e opinionit dhe diplomacinë ndërkombëtare BBC, në një kohë të rëndë të konsolidimit të një politike të qartë dhe të qëndrueshme për kërkesat legjitime për liri të shqiptarëve të Kosovës, paraqiti para opinionit ndërkombëtar njeriun që i tregoi botës për luftën e drejtë të popullit shqiptar.
Fehmiu nuk bëri vetëm një prononcim rasti, sepse, ai ishte i ngarkuar nga Lëvizja për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, që prej vitit 1984, duke zhvilluar takime të shumta me media apo me takime me përgjegjësi të niveleve të larta.
Takim i Shkurtit të vitit 1998, në Mynhen, me Ministrin e Jashtëm shqiptar dhe kërkesat dhe qëndrimet e qarta të Fehmiut, se as një fuqi nuk do të mund të ndalë luftën për liri, nuk ishin marrë shumë seriozisht. Në të njëjtën ditë, pas një ore, mediat ndërkombëtare do të raportonin për mizorinë e forcave serbe të ushtruara ndaj popullsisë civile shqiptare në Likoshan dhe Qirez.
Kthesë e madhe dhe shumë domethënëse për opinionin ndërkombëtar ishte intervista e Fehmiut, dhënë BBC-së. Përveç daljes pa maskë, ai do të njoftojë opinionin ndërkombëtar me argumente se qëllimi i Kosovës nuk është lufta, por ajo ishte e imponuar nga regjimi fashist serb.
Në intervistën dhënë këtij mediumi, në mënyrë të argumentuar, ai do t’i demaskonte qarqet antishqiptare që bënin përpjekje për t’i dhënë luftës për liri, kahje të ndryshme dhe joobjektive për qëllimin e luftës. Lufta për liri e shqiptarëve nuk është drejtuar kundër popullsisë civile serbe, por kundër makinerisë ushtarako-policore serbe që po bënte masakra kundër popullsisë shqiptare. Në mënyrë të argumentuar, ai sqaron para opinionit ndërkombëtar, se as një veprim i vetëm i UÇK-së nuk ishte ndërmarrë kundër popullsisë civile serbe. Në analizat e kohës, Shërbimet Inteligjente më të fuqishme të perëndimit që raportonin qeverive të tyre, thuhet se, në UÇK nuk janë vetëm njerëzit e frustruar nga dhuna, por ajo duhet të shihet si Organizatë Ushtarake e Konsoliduar, që në mesin e saj ka njerëz të shkolluar, dhe që dinë të mbrojnë vlerat universale njerëzore.
Pas kësaj interviste fillojnë kontaktet e para të përfaqësuesit politik të UÇK-së, dhe të diplomatëve të huaj në vendet perëndimore dhe Tiranë, gjatë Qershorit të vitit 1998. Në maj të vitit 1998 vizita e diplomatëve amerikanë qartësonte angazhimin ndërkombëtar të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, dhe kërkohet maturi nga Tirana zyrtare për skenën politike që po ndryshonte në Kosovë, duke treguar së në tavolinën e zgjidhjes së çështjes së Kosovë do të jenë të rëndësishme vija politike-paqësore dhe ajo ushtarake.
Intervista e Fehmi Lladrovcit dhënë BBC-së, në Maj të vitit 1998, në bazë të analizave dhe dokumenteve të kohës, shihet se imazhi për dhe rreth UÇK-së kishte ndryshuar në qarqet diplomatike ndërkombëtare, sidomos pasi kuptohet se kjo strukturë numëron njerëz të profileve të larta akademike e shkencore, të dala nga Universitetet prestigjioze ballkanike e evropiane, si rasti i Fehmiut.
Biografia e Fehmi Lladrovcit e analizuar nga institucionet dhe opinioni publik i kohës do të ndikonte të ndryshonte edhe qasjen e qarqeve diplomatike të Kosovës.