HEROI I KOMBIT ALBAN AJETI ME VETËDIJE TË LARTË IU BASHKUA RADHËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

14 prill 2023 | 20:49

Ismet Sylejmani

Shumë të dashur familjarë të Heroit të Kombit Alban Ajeti, Babë Sheqiri, Vëlla Petriti, mbesë Albana, nipa Albani e Nili dhe bashkëshorte e Petritit zonja Nebahate!
Të dashura familje të Heronjëve e Dëshmorëve të Kombit!
I dashur Kryekomandant Ali Ahmeti!
I dashur Kryeministër i Kosovës Albin Kurti!
I nderuar Zv. Kryeministri i Parë i Qeverisë së Republikës se Maqedonisë së Veriut Artan Grubi!
I nderuar Kryetar i Senatit e ish- Rektor i Universitetit të Tetovës Vullnet Ameti!
I nderuar Rektor i Universitetit të Tetovës Kushtrim Ahmeti!
I nderuar Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtnant Bashkim Jashari!
I nderuar Drejtori Gjeneral i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha!
I nderuar ish – Zv. Komandant i ZOK-ut të UÇK-së e Zv. Ministër i Mbrojtjes të Kosovës Shemsi Syla!
I nderuar Kryetar i Komunës së Tetovës Bilall Kasami!
I nderuar Kryetar i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni!
I nderuar Kryetar i Kuvendit të Gjilanit Arianit Sadiku!
I nderuar Deputet i Parlamentit të Kosovës Luan Aliu!
Të dashur student, studente e profesor të UT-së e të Universitetit “Kadri Zeka”nga Gjilani!
Të nderuar të pranishëm!
Zonja dhe zotrinjë!

Jemi tubuar sot për të nderuar Heroin e Kombit Alban Ajeti!

Kam nderin e madh dhe historik, që sot përpara juve në nderim të nderimit të madh që po i bën Universiteti i Tetovës studentit të tij, duke e shpallur Hero të Universitetit të Tetovës, të shpalos biografinë e studentit Hero të UT-së, të luftëtarit të lirisë, bashkëluftëtarit tim, Heroit të Kombit Alban Ajeti!

Alban Ajeti u lind më 5 Shtator në 1978 në Lagjen Dardania 2 (ish-Gavrani) Rruga nr 18 në Gjilan!
Më 1 Shtator të vitit 1985 ulet në bankat e shkollës fillore dhe fillon shkollimin e Tij!
Shkollën fillore e përfundoi në Selami Hallaçi dhe të mesmen e kreu në Zenel Hajdini në Gjilan, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin e Mjekësisë- Dega e Farmacisë në Universitetin e Tetovës, këtu në Tetovë, në vitin shkollor 1997/1998!

Albani për dallim nga bashkëmoshatarët e tij, ishte i gjithanshëm, kishte prirje në sport, në letërsi etj., e shumë fusha tjera, por më së shumti ishte për mjeksi, ku edhe u regjistrua këtu në Tetovë!

Albani la trashëgim shumë poezi të cilat pas luftës në vitin 2002 iu botuan thjeshtë, në një përmbledhje të veçantë, me titull “Pranvera e Lirisë”!

Poeti i talentuar Heroi i Kombit Alban Ajeti shkroi poezi të shumta, unë përpara Juve të nderuar të pranishëm po i përmendi vetëm disa tituj të poezive dhe po e lexoj njërën nga ato!

Titujt e poezive të Alban Ajetit janë: NËNA, ADEM JASHARI, HAMËZ JASHARI, VDEKJA PËR ATDHE, TOKA KËRKON GJAKUN TONË, BEKIM BERISHËS-ABESË, BORXHI NDAJ ATDHEUT,GJAKU,SIMBOLET E LIRISË( kushtuar Zahirit, Edmondit,Hakifit), KOSOVËN S’MUND TA ZHBËJË ASKUSH, LUFTA, BASHKIMI, 17 JANARI SHQIPTAR, ARDIAN KRASNIQIT etj..

Kjo është përmbledhja me poezi e Albanit, shumica e të cilave janë të shkruara këtu në Tetovë!

Përpara Juve të nderuar të pranishëm po e lexoj nje poezi të shkurtër të shkaruar nga Heroi i Kombit e Heroi i UT-së Alban Ajeti!

VDEKJA PËR ATDHE
Asnjë vdekje nuk është e mirë
Sa vdekja për Atdhe
Vetëm atëherë dhembja është e vogël
Vetëm atëherë miqtë
Do të presin me kokë lartë
Dhe krenari kur vijnë për ngushëllime.

Tetovë, 13 Dhjetor 1997, ora 15:00!

Kjo poezi dhe shumë të tjera, dëshmojnë se Albani ishte i përcaktuar dhe shumë i vendosur që të vdiste për Atdhe!
Pra shihet qartë, pa llupë, se Alban Ajeti ishte i dashuruar në vdekjen për Atdhe!

Heroi i Kombit Alban Ajeti, nuk ishte i vetmi student nga UT që iu bashkua luftës për liri në radhët e UÇK-së, por është i vetmi student i UT-së që ra në fushë të nderit të Kombit!

Heroi i Kombit Alban Ajeti dha prova të cilat i vulosi me gjakun e Tij, se ishte bir i madh dhe i denjë e i lavdishëm i popullit shqiptar, sepse thirrjes për luftë të armatosur çlirimtare kundër Serbisë pushtuese, iu përgjigj flakë për flakë dhe erdhi si shqiponjë mali nga Universiteti i Tetovës në Kosovë, dhe veshi uniformën luftarake e u rreshtua në radhët e UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut!

Historia e jetës së Tij e shkruar nga Ai, dëshmon se Ai e dinte se në luftë për liri edhe mund të vritesh, por Ai erdhi, i braktisi auditorët e UT-së duke i zëvendësuar me istikamet e UÇK-së!

Në njësitet e armatosura të radhëve të UÇK-së, Alban Ajeti morri emrin luftarak Pëllumbi!

Alban Ajeti nesër më 15 Prill 2023 i mbushë 24 vite, qysh kur zemra e tij ndali rrahjet!

Në malet e Zhegovcit, në luftë frontale me ushtrinë dhe policinë pushtuese serbe, ra heroikisht bashkë me shokë a bashkëluftëtarë të tjerë!

Albanin e morri lufta çlirimtare për lirinë e Atdheut, dhe e bëri të pavdekshëm, e bëri Hero të Atdheut!

Albani ashtu si edhe qindra dhe mijera Heronjë të tjerë e derdhi gjakun e tij në tokën e pushtuar të Atdheut e për çlirimin e saj nga zgjedha pushtuese serbe!

Sot Heroi i Kombit Alban Ajeti do të shënohet në memorjen historike të UT-së si njëri prej studenteve më besnik të tij!

Të nderuar të pranishëm!

Me lejoni ti drejtohem me disa rreshta e ta informoj Heroin e Kombit Alban Ajeti, me sa vijon:

Shumë i dashur Alban, o Pëllumbi i lirisë, që je duke na shikuar nga qielli!

Nëna Jote Hazirja, sot nuk është këtu në mesin tonë, në nderimin Tend, sepse ajo ka vite që lëngon në shtratin e sëmundjes dhe po lufton si heroinë e vërtetë me vdekjen!

Por këtu në mesin tonë e ke Babë Sheqirin, vëlla Petritin që vazhdon misionin e idealit Tënd për ta jetsuar shtetin e Kosovës, dhe këtu është Albana e Albani, vajza dhe djali të vëllaut Tënd, këtu janë mbesa e nipi Yt, të cilët, për knaqësi e krenari të pashembullt, të dytë e mbajnë emrin Tënd të madh Alban, pra edhe ata sikur Ti, i kanë emrin dhe mbiemrin, me dy AA!

Për të nderuar Ty, sot ka ardhur ilegali i famshëm, njëri prej udhëheqësve më të mëdhenj të popullit shqiptar, njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Kryekomandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Ali Ahmeti!

Për të nderuar Ty, sot ka ardhur, njëri prej katërshes së madhe të udhëheqjes studentore të vitit 1997, asistenti personal i Zyrës të Përfaqesuesit politik të UÇK-së Adem Demaçi dhe sot Kryeministër i Kosovës Albin Kurti!

Për të nderuar Ty, sot ka ardhur Gjeneral Bashkim Jashari, pjestari i familjes legjendare Jashari të Prekazit heroik!

Për të nderuar Ty, këtu sot me ne janë edhe Zv.Komandanti ZOK-ut të UÇK-së e Zv. Ministri i Mbrojtjes të Kosovës Shemsi Syla!

Për të nderuar Ty, ka ardhur Drejtori Gjeneral i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha!

Per të nderuar Ty, nga Gjilani kanë ardhur Kryetari Alban Hyseni, bashkë me Kryetarin e Kuvendit Arianit Sadikun dhe deputetin e Parlamentit te Kosovës Luan Aliun!

Jemi shumë që kemi ardhur këtu për të nderuar Ty i pavdekshmi ynë i madh, Heroi i Kombit Alban Ajeti!

Lavdia Jote nga sot e përgjithmonë do të mbulohet edhe nga një flamur tjetër, nga flamuri i shenjtë dhe i shtrenjtë i Universitetit të Tetovës!

Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit e Heroit të Universitetit të Tetovës Alban Ajeti!

Faleminderit

Ismet Sylejmani,
Ish-Shef për Informim e Zëdhënës i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së!
Tetovë, 14 Prill 2023!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, ka folur…