Heroi Rexhep Bislimi, meteor që nuk shuhet kurrë
Me rastin e 24-vjetorit të rënies së Rexhep Bislimit
Shkruan: Skender Haliti
Një shok veprimtarie, të cilin nuk mund ta harroj kurrë është Rexhep Bislimi.
Po ashtu në mesin tonë ishte i pandashëm edhe veprimtari, Isak Maloku, i fshatit Batllavë të Llapit.
Më të u njoha, nëse nuk gaboj, në vitin 1990 në qytetin e Ferizajt ku jetonte ai. Nuk më kujtohet se cilat qenë rrethanat e njohjes sonë dhe as personi që na njohu. Di vetëm se Rexha që ishte shumë më i ri se unë që në takimet e para më bëri përshtypje për përcaktimin e tij kombëtar dhe vendosmërinë për të bërë shumë më shumë së sa bëhej nga partitë legale që u krijuan më shpejtësi në këtë vit dhe përshtypje më bëri po ashtu qëndrimi i tij kritik edhe ndaj lëvizjes ilegale, e cila në këtë kohë ndodhej në një gjendje konfuzioni.
Prirjet e Rexhës dukeshin qartë ai nuk besonte aspak në alternativën politike, sikur quhej atëherë me një term përmbledhës spektri partiak legal i sapokrijuar, sepse këto parti në programet dhe në veprimtarinë e tyre politike në sytë e Rexhës nuk bënin pothuajse asgjë dhe prej tyre nuk mund të pritej as në të ardhmen ndonjë kontribut substancial për çlirimin e Kosovës.
Nëse në takimet e para këto vlerësime politike për partitë dhe lëvizjen ilegale i kishte formuluar me një gjuhë të kujdesshme, më vonë, në takimet dhe veprimtarin tonë të përbashkët Rexha i formulonte me një gjuhë tepër kritike. Duke ditur që kisha qenë shok i Fahri Fazliut dhe angazhimit të tij, ai gjithnjë e më shpesh më thoshte se Kosovës sot i duhen njerëz të vendosur të pushkës si Fahriu e Afrimi dhe jopallavragji që kujtojnë se dëbimi i Serbisë do të ndodh me llafe e muhabete nëpër kafe.
Politika nuk bëhet kështu, thoshte ai, por ndryshe, ashtu sikur bëhet në pjesën veriperëndimore të shtetit ku atëherë bënim pjesë.
Nga sllovenët dhe kroatët duhet të mësojmë dhe jo të rrimë duke pritur mrekullinë e lirisë që do të vijë vetvetiu, pa derdhur gjak për të. Rexha ishte i vetëdijshëm se shumë njerëz të orientimeve të ndryshme politike se çlirimi i Kosovës do të ishte një proces i vështirë, i gjatë e i mundimshëm dhe domosdoshmërisht i kondicionuar nga aktiviteti ushtarak, i armatosur i shqiptarëve.
Pa këtë komponent të dhunës çlirimtare ndaj strukturave ushtarake e policore të Serbisë që ishin instrumente që gjeneronin dhunë të përditshme në Kosovë as që mund të mendohej, sipas tij, shteti i ardhshëm i Kosovës apo bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Në atë kohë në qarqet politike që lidheshin me rezistencën e një dhjetëvjeçari më parë më shumë flitej për bashkimin me Shqipërinë se sa për shtetin e Kosovës në formën siç ekziston ai sot. Gjithmonë ekzistenca e këtij shteti nëse do të krijohej, përfytyrohej në vitet ’90-ta si një stad i përkohshëm paraprijës i bashkimit me shtetin e Shqipërisë.
Në shumë takime që kam pasur në këtë kohë, në vitin 1990,1991 e 1992, Rexha vinte shpesh tek unë në Komogllavë, çështja kryesore për të cilën është biseduar ka qenë puna e sigurimit të armëve. Kishte momente kur Rexha padurimin e tij e shprehte në mënyrë shumë të ashpër.
Një ngjarje tjetër e cila më ka mbetur në kujtesë është ajo e verës së vitit 1992. Në Ferizaj policia serbe kishte vrarë një fëmijë shqiptar, Fidan Brestovci, të cilin e kishte vrarë krimineli, Boban Krstiq. Kjo vrasje Rexhën e pati irrituar pa masë. Ai donte që ta vriste Krstiqin, Rexha planifikonte aksion të armatosur, një atentat ndaj tij.
Për këtë punë pati ardhur në Komogllavë që të këshillohej me mua, por unë nuk mund t’i thosha bëje apo mos e bëjë këtë vrasje.
Për këtë aksion kërkohej këshillim me njerëz që ishin më të informuar së unë, njerëz që ishin pjesëtarë në struktura të organizuara, prandaj vendosëm të shkonim në Shqipëri ku mendonim se mund të takoheshim me njerëz që do të na
këshillonin se a mund të fillohej me aksione të armatosura kundër policisë serbe dhe konkretisht me atentate ndaj kriminelëve që kishin filluar të vrisnin edhe fëmijë shqiptarë, sikur kishte ndodhur ato ditë me fëmijën Fidan Brestovci.
Së bashku më Rexhep Bislimin jemi nisur për në Shqipëri, nga Ferizaj, me autobus për në Maqedoni. Në Shkup kemi arritur në mbrëmje. Duke qenë se nuk kishte lidhje direkte për në Shqipëri, kemi vendosur të udhëtojmë për Tetovë. Rastësisht në autobus jemi njoftuar me një shqiptar nga Tetova i cili ishte kthyer për pushime nga Berlini ku punonte me familjen e tij.
Derisa ne bisedonim me Rexhën se ku do të kalojmë natën në Tetovë, miku të cilin u njoftuam në autobus na ftoi në shtëpinë e tij. Kjo ishte familja Luma, familje e njohur për mikpritje e bujari. Nuk e harroj kurrë pritjen që na bënë. Të nesërmen na përcollën deri në stacion të autobusëve në Tetovë.
Së bashku më Rexhën vazhduam rrugën për në Shqipëri, më autobus shkuam deri në Qafë Thanë. Aty morëm një taksi. Në Durrës kemi banuar te arsimtari Bruno Kotorri. Në këtë kohë patëm disa takime ku kërkuam mendimin e disa njerëzve që mendonim se mund të na orientonin më drejt se si të veprojmë në rastin konkret ku u vra një fëmijë nga një polic serb që njihej me emër dhe mbiemër. Ishte një rast i rrallë për t’i dhënë një përgjigje të duhur kësaj dhune të shfrenuar antishqiptare duke vrarë një kriminel që vriste në emër të shtetit të tij që jepte shenjat e para të asaj që do të ndodhte më vonë. Në të njëjtën kohë u interesuam edhe për mundësinë e sigurimit të armëve dhe transportimin e tyre në Kosovë.
Insistimi i Rexhës për të filluar me aksione të armatosura nga bashkëbiseduesit tanë nuk u përkrah. Kundërshtimet ishin energjike. Thuhej se nuk është koha për aksione të tilla, se do të cilësoheshim si tradhtarë nga spektri politik dhe se aksione të tilla të armatosura do t’i shërbenin Serbisë për të masakruar patriotët kosovarë. Më fjalë të tjera, gjithë kjo punë quhej një aventurë e madhe dhe e rrezikshme. Vetë Rexha mbeti i dëshpëruar, jashtëzakonisht i dëshpëruar për refuzimin e kësaj mundësie që, sipas tij, mund të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve në Kosovën që ishte kthyer në një moral politik që kuturbonte.
Gjatë bisedave me Rexhën,para dhe pas kthimit nga Shqipëria, ai thoshte shpesh se duke lexuar gazeta nuk largohet shkau prej Kosove. Sipas Rexhës, duhet veprim i guximshëm dhe jo pritje pasive,pa bërë as një lloj përgatitje për kohët e vështira që kemi para. Është koha për të ndjekur shembullin e Fahri Fazliut e Afrim Zhitisë, të cilët ranë me armë në dorë më 2 nëntor 1989 në Breg të Diellit në Prishtinë.
Për Rexhën ky ishte modeli i veprimit dhe jo llafet të kota të një politike që përditë e më shumë po e humbiste kontaktin me realitetin me atë realitet ku edhe fëmijët nuk kurseheshin nga plumbat e policisë. “Në fillim ishte veprimi me këtë fjali fillon një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore drama e Wolfgang Goethes “Fausti”.
Dhe Rexha ishte njeri i veprimit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale .Ai ishte i bindur se me veprimin e armatosur hapej shtegu i lirisë.
Dhe ashtu siç mendonte veproi deri në fund të jetës së tij, Rexhep Bislimi, luftëtari i vërtet i kauzës së madhe të kombit shqiptar.