HEROI XHEVAT QERIMI FIGURË MADHORE E KOMBIT
06 janar 2020
| 02:21
Ismet Sylejmani
Më 10 Janar 2020, do të rivarroset në varrezat e Dëshmorëve të Kombit,Heroi i Pavarësisë së Kosovës, i pavdekshmi Xhevat Qerimi!
Më 10 janar të vitit 1993 mbylli sytë përgjithmonë njëri prej bijve më të mëdhenj të popullit shqiptar të Kosovës e të viseve të saj.
U nda përgjithmonë ilegali i madh dhe i vendosur, organizatori dhe projektuesi nga më të jashtëzakonshmit që ka njohur organizimi politiko-patriotik dhe ushtarak për çlirim definitiv të viteve 1988/1089/1990/1991.
Më 10 janar 1993 mbylli sytë sypatremburi, luftëtari i lirisë, patrioti e atdhetari i madh i çështjes kombëtare, i pathyeshmi Xhevat Qerimi, i cili për fat të keq vdiq ashtu siç nuk e ka dëshiruar kurrë vdekjen, ashtu siç nuk e ka merituar kurrë atë, ashtu siç nuk do t’ua dëshironte as kundërshtarëve që luftojnë e veprojnë kundër.
Xhevat Qerimi meritonte ose të binte në frontet e luftës për liri, për çka nuk kursehej fare, sepse ishte në veprim të pandërprerë, ose të vdiste i qetë pas çlirimit të Kosovës, kështu siç është e lirë dhe e pavarur tash pas luftës titanike të UÇK-së dhe shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Tërë jetën e tij kishte vepruar, që në rast se i vinte vdekja, atë ta priste i qetë dhe ajo të vinte si rezultat i përleshjes së armatosur, siç kishin luftuar heronjtë Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, pra ballë për ballë me armiqtë dhe tradhtarët e popullit shqiptar, ose ta priste vdekjen ballëhapur e krenar, në shtratin e lavdishëm ku dergjen burrat e mëdhenj të kombit, pas përfundimit të detyrave ndaj Atdheut, të rrethuar me nipër e mbesa, pasi të jetë bërë realitet çlirimi i Kosovës dhe viseve të saj, me kontributin e tij maksimal në atë realitet.
Populli shqiptar i Kosovës dhe viseve të saj, radhët e organizuara politike ilegale dhe legale, e veçanërisht LPRK, e njohin mirë emrin e madh dhe të respektuar të veprimtarit të dalluar e të devotshëm të luftës për liri dhe çlirim të Kosovës dhe popullit të saj nga zgjedha pushtuese serbe.
Xhevat Qerimi ishte kopja më besnike e heroit kombëtar Rexhep Mala në radhët ilegale të gjeneratës së re që vepronim në LPRK.
Organizimi politiko-patriotik ilegal në Anamoravë pas arrestimeve dhe burgosjeve të shumta dhe veçanërisht pas vrasjes së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, e pas mbytjes së Zija Shemsiut në torturë në burgun e CZ-së në Beograd, kishte përjetuar një rënie totale.
Kishin mbetur disa të afërm të familjeve të të vrarëve ose të të arrestuarve te të cilët synonim t’i gjenim fijet e organizimit të mbetur, por duke e parë se nuk kishte ndonjë potencial të mjaftueshëm, atëherë meqë me Xhevatin njiheshim prej vitit 1985, filluam të bisedonim rreth organizimit politik.
Në vitin 1987 unë banoja në konviktin nr. 2 dhe isha në dhomë cimer me Bedri Blakqorin nga fshati Letanc-Podujevë, një ish i burgosur politik dhe bashkëveprimtar i heroit Afrim Zhitia, me Ismet Abdullahun nga fshati Dumnicë (Podujevë) i organizuar ilegal, më vonë pjesëtarë i të famshëm të Çetës së Llapit, dhe Sami Thaqin nga fshati Jabllanicë e Leshait të Pejës.
Në prill të vitit 1987 në prani të Ismet Abdullahut, në dhomën nr. 324 dhe me aprovimin e shokëve nga lartë të udhëheqjes, jemi pranuar anëtarë të organizatës LPRK-së.
Na është sjellë nga Ismeti për lexim “Pararoja” dhe “Zëri i Kosovës”.
Që nga ajo kohë kurrë më Xhevat Qerimi nuk ka pushur së menduari, vepruari dhe kontribuuari në organizimin, riorganizimin dhe forcimin e radhëve të organizuara të LPRK-së, emri i së cilës ka qenë i shtrenjtë dhe i shenjtë për të.
Kontributi i Xhevat Qerimit është shumë, shumë, shumë i madh.
Pa Xhevatin nuk mund të paramendohet tërë ajo betejë e madhe që është zhvilluar, tërë ai mekanizëm i ngritur me aq mund e djersë.
Tërë ai rrjet i fuqishëm shokësh e veprimtarësh ilegalë.
Që nga viti 1987 kur Xhevat Qerimi fillon jetën e rregullt organizative, fillon e ngjitet në drejtim të lartësive të piramidës udhëheqëse të organizimit politik ilegal patriotik.
Me vendosmërinë dhe modestinë që e karakterizonin, trimërinë dhe guximin që shiheshin nga larg tek Ai, me misionin që kishte përqafuar, filloi të bëhej figurë e dashur dhe e respektuar për shokët, dhe i shkathët e vigjilent me armiqtë dhe udbashët.
Guximi dhe vendosmëria e tij, sprova e parë e suksesshme, e treguar para shokëve dhe popullit shqiptar, është parë në muajin maj të vitit 1988, kur krah për krah me sekretarin organizativ të LPRK-së, heroin e kombit Afrim Zhitinë dhe shokët e tjerë të udhëheqjes së lartë të organizimit politiko-patriotik ilegal, bash në qendër të Prishtinës, para “Hotel Grand”-it ku ishte i vendosur delegacioni i parlamentarëve evropianë, filloi demonstrata për t’u treguar deputetëve nga Evropa, se në Kosovë dhuna dhe shtypja e regjimit ushtarako-policor serb po rritej e thellohej në përmasa shumë të mëdha.
Ishte një nga demonstratat shumë të suksesshme, dhe nga më të fuqishmet, e cila përfundoi në qendrën e konvikteve, me këngë e valle deri në mesnatë.
(Atyre që kanë qenë të pranishëm në atë demonstratë, u kujtohet kthimi ynë në afërsi të Mensës së Studentëve, kur tentuan disa aktivistë të LKJ-së të ndalnin e t’i shpërndanin demonstruesit se si i hëngrën grushtet dhe shqelmat e Xhevatit).
Të gjithë ata që kanë pasur rol udhëheqës në atë periudhë dhe që kanë qenë pjesëmarrës të atyre ngjarjeve të lavdishme, do t’i kenë të freskëta pamjet dhe do t’u kujtohet roli shumë i madh dhe madhështia e guximit të paparë në drejtimin e masave të gjera në atë demonstratë të Xhevat Qerimit.
Greva e minatorëve të Trepçës, ngujimi i tyre në zgafellet e nëntokës, për Xhevatin shënon një tjetër moment kthese dhe ngritjeje kualitative në personalitetin e tij të madh.
Në sallën 1 Tetorit (ish-25 Maji), në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, gjatë kohës kur në minierat e Stari Tërgut vazhdonin të ngujuar në horizontet e nëntokës minatorët trima e të pamposhtur, roli aktiv i Xhevatit ishte i përmasave të paimagjinuara.
Nuk kishte delegacion të huaj apo ekip gazetarësh të cilëve Xhevati nuk i dilte para me tërë arsenalin e kërkesave legjitime.
Nuk ka pasur asnjë delegacion nga ata të Universitetit e të Komitetit që vinin e donin të na mbushnin mendjen e të largoheshim nga salla me të cilët Xhevati nuk ka bërë debate të ashpra deri edhe në ofendime e sharje të rënda.
Shumë figura të njohura i ka nxjerrë jashtë dhe ua ka bërë bajat ardhjen në sallë.
Opinioni duhet ta dijë se faqet e gazetave të ndryshme të Beogradit ishin të mbushura me fotot e Xhevat Qerimit me grushtin lart dhe duke brohoritur Kosova Republikë.
Gjatë kohës së grevës së minatorëve, me Xhevatin dhe me makinën e një atdhetari e patrioti të madh nga Kosova Lindore, Ymer Hasani, shkuam nga Prishtina në Dumnicë te shtëpia e Ismet Abdullahut.
Aty morëm materiale të ndryshme që i kishin dërguar shokët dhe u kthyem për në Prishtinë.
Në pyetjen e shokut Ymer, që e ngiste makinën, se a të ndalem në rast të daljes së policisë, ne morëm vendim që të mos ndalej, dhe gjatë gjithë kohës Xhevati e kishte në tytë plumbin, dhe i gatshëm për aksion.
Xhevati ishte njëri prej veprimtarëve të organizuar nga më kryesorët, që vendimin e udhëheqësve të LPRK-së Afrim Zhitia e Fadil Vata dhe të Komitetit Drejtues, për nënshkrimin e peticionit të studentëve drejtuar faktorit ndërkombëtar, e kishte realizuar me përgjegjësi të madhe politike, korrektësi atdhetare e organizative dhe aftësi profesionale.
Shpërndarja e vendimit intern të Organizatës, se duhet të fillojmë me demonstrata në gjithë Kosovën, ishte moment i ri për Xhevatin.
Ismet Abdullahu na kishte njoftuar se më 23 mars 1989 në Podujevë mund të fillonte demonstratë.
Xhevati dhe unë shkuam në Podujevë, por nuk u bë demonstrata, me arsyetimin se duhet të fillojnë në tërë Kosovën njëkohësisht, ashtu edhe vepruam.
U kthyem, dhe më 27 mars edhe ne në Gjilan bëmë demonstratën e njohur, në të cilën roli i Xhevatit ishte kolosal, i pa zëvendësueshëm.
Populli i Gjilanit duhet të përulet me shumë respekt përpara veprës dhe kujtimit të udhëheqësit e burrit të madh me emrin Xhevat Qerimi.
Qëndresa dhe rënia heroike e militantit Ali Ajeti në përleshjen me policinë dhe forcat pushtuese serbe e tradhtare, na kishte lënduar të gjithëve, por Xhevati e përjetoi më se keqi, sepse e kishte njohur në një takim që kishte pasur me atë dhe Ismet Abdullahun.
Pas ngjarjes së madhe të grevës së minatorëve që tronditi jo vetëm opinionin kombëtar, por edhe atë ndërkombëtar, sepse i tregoi tërë botës se në Kosovë nuk janë të zgjidhura problemet siç trumbetonte federata jugosllave, me Xhevatin, me iniciativën e tij shkuam në Mitrovicë për të vënë lidhje me një shokun e tij që e kishte nga shërbimi ushtarak, e që ishte djalë minatori.
Xhevati rrëfimet e minatorit heroik që i kishte përjetuar pothuaj të gjitha horizontet e nëntokës shqiptare, i përpinte, ishim bërë sy e vesh, donim gjithçka të mësonim dhe asgjë të mos e harronim, ndërkohë që nuk ishte e këndshme të mbanim shënime, sepse mund të na binin në dorë të armikut dhe…
Më kujtohet kur erdhën në Kosovë në kohën e grevës së minatorëve në Kosovë, krimineli Millosheviq dhe një antishqiptar – vegël e Millosheviqit, kroati Stipe Shuvar, me Xhevatin takuam një polic shqiptar nga Cerrnica e Gjilanit, Ismet Arifin, të cilin e pyetëm se a mund t’i afrohemi në ndonjë formë makinës së kriminelit?!
Donte Xhevat Qerimi t’ia mësynte kriminelit Millosheviq, me 7-shën e tij që e mbante në brez.
I tillë ishte Xhevat Qerimi, gjak dhe energji kishte më shumë se kushdo tjetër nga ne.
Çelik i fortë ishte.
Kishte trup atleti.
Besoj se në gjoksin e tij ka rrahur një zemër shumë e madhe, ademjashariane.
Në demonstratat e 27 marsit 1989 dhe ato të janar-shkurtit të vitit 1990, Xhevat Qerimi ishte violina e parë, ishte dirigjenti fantastik, i mrekullueshmi dhe i merituari kryesor i demonstratës së suksesshme në Gjilan.
Nuk mund ta përshkruaj dëshirën kur e pamë se filloi demonstrata, dhe vazhdimisht rritej numri i pjesëmarrësve.
Eu, thoshte i madhi Xhevat, kështu ia lëkundim eshtrat në varr Rexhepit e Nuhiut, i çojmë të fala Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Zija Shemsiut etj., ua ngrohim zemrat të burgosurve politikë shqiptarë, që po na i dergjë e kalbë nëpër burgje Serbia, u tregojmë se flakën e luftës për liri jo vetëm nuk e kemi shuar, por po e mbajmë të ndezur dhe po e ngremë lart e më lartë.
Mbaj mend se afër Postës së Vogël, përafërsisht te vendi ku u vra më vonë më 1990 dëshmori Reshat Ymeri, e takuam rastësisht vajzën e Rexhep Malës, Fitoren, e cila ishte e vogël, dhe u tronditëm!
Menjëherë reaguam, filluam të mendonim: po nëse e shohin policia dhe e njohin, atëherë ata kriminelë edhe do ta vrasin, dhe vendosëm ta largonim nga demonstrata, dhe po qe se nuk na dëgjon, ta largonim me forcë, por ajo fatmirësisht na dëgjoi.
Por më kujtohet se kishte shprehur pakënaqësi te nëna e saj (bashkëshortja e pashoqe e heroit, Hanife Malaj, që është simbol i besnikërisë së nderit dhe krenarisë së viganit Rexhep Malaj), se pse mua nuk po më lënë në demonstratë!!
Ia kishim borxh gjigandit me emrin Rexhep Malaj, t’ia ruanim krijesën e vetme që e kishte lënë trashëgimtare.
Në këto ngjarje, që as gjatë luftës së UÇK-së nuk u tejkaluan në Gjilan, Viti Kamenicë, Xhevat Qerimi ishte kudo në radhët e para.
E kishim mësuar në literaturën revolucionare dhe atdhetare, se udhëheqësi duhet të jetë aty ku është më së vështiri, aty ku është rreziku më i madh se kudo tjetër, aty ku varej fati i zhvillimit me sukses jo vetëm të demonstratës, aty ku sulmi i policisë dhe veglave të tyre ishte më i përqendruar, aty ishte Xhevat Qerimi, në frontin e parë, sy me sy me policinë pushtuese dhe UDB-në gjakatare.
Në demonstratat gjithëpopullore të vitit 1989 dhe 1990 në Gjilan, që drejtoheshin drejtpërdrejt nga Xhevat Qerimi me shokët e tij të Komitetit të Rrethit të Gjilanit, kishte një organizim shumë të mirë, kishte disiplinë dhe mbi të gjitha kishte frymë e mobilizim të lartë kombëtar.
Xhevat Qerimi në demonstrata ishte demonstrues dhe udhëheqës, nuk fshihej, por ishte në ballë të përleshjes me policinë dhe UDB-në, ishte numër një për gjithçka, kudo që kërkohej aty e gjeje, ishte si shqiponjë, në çdo anë, ishte aty ku duhej të ishte udhëheqësi e luftëtari i radhëve të para.
E si të mos ishte kudo Xhevat Qerimi, që sa shumë kishim bërë mund e përpjekje për ta tundur Gjilanin.
Më kujtohet, e kishim një tranzistor, dhe në rrugën e Prishtinës, në të hyrë të lagjes “Dardania” (ish-“Gavrani”), sot rruga “Ismail Qemajli”, në të djathtë, një shtëpi me podrum, u futëm dhe e lëshuam t’i dëgjonim lajmet, donim të mësonim se si ishte gjendja në anët e tjera në Kosovë, i dëgjuam në gjuhën serbe, sepse thoshim këta i japin të minimizuara dhe nëse e pranojnë se kanë shpërthyer edhe në qytete të tjera të Kosovës, atëherë shokët kanë kryer detyrat.
Kosova ishte ngritur në këmbë. Dolëm nga podrumi shumë të gëzuar sepse dëgjuam se demonstrata kishte në Prishtinë, Podujevë etj..
Xhevat Qerimi e kishte ndarë mendjen me kohë, ishte në mesin e atyre bijve të prerë, që vepronin me vendim të padiskutueshëm.
Orientimi i tij ishte kur nuk shkohej me metoda demokratike e paqësore, atëherë të kalohej në metoda të veprimit dhe organizimit të armatosur.
Kështu, më 27 mars 1989, në lagjen “Dardania” (ish-“Gavrani”), në Gjilan, afër rrugës së Prishtinës, në orët e mbrëmjes, duke e parë se demonstruesit po sulmoheshin nga ajri me helikopter policor dhe me gazin lotsjellës që hidhte e dëmtonte në masë shumë të madhe shëndetin e demonstruesve dhe rrezikonte ndërprerjen e demonstratës, luftëtari i lirisë e udhëheqësi i demonstratës, i shoqëruar nga shoku tjetër i udhëheqjes së Lartë të Këshillit të Rrethit të LPRK-së së Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë, Irfan Musmurati, merr në shenjë dhe e gjuan helikopterin policor, i cili pastaj aterron me shpejtësi.
Nuk mund të bënte më shumë udhëheqësi, sepse në atë kohë ende nuk kishte filluar lufta frontale.
Në atë kohë thuhej në popull dhe në mesin e demonstruesve, se është luftuar kundër helikopterit policor.
Qëndresa e armatosur, lufta dhe rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, në “Bregun e Diellit” në Prishtinë më 2 nëntor 1989, ia kishin shtuar edhe më shumë vendosmërinë për të ecur edhe në mënyrë më të vendosur, në rrugën e rëndë, por të lavdishme të çlirimit të Kosovës dhe viseve të saja, e të bashkimit kombëtar!
Nuk ka pasur përvjetorë të rëndësisë së veçantë kombëtare, kur është përkujtuar një ngjarje historike apo kur është vendosur për aksione, të shkruhen parulla me përmbajtje atdhetare dhe demaskuese për pushtuesin nga ana e LPRK-së, ku Xhevati të mos e kishte dhënë kontributin e tij, që nuk ishte i vogël, por përkundrazi i madh dhe vendimtar!
Qyteti i Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, por edhe të gjitha fshatrat, kur merrej vendimi për t’u shkruar parulla me përmbajtje kombëtare, territori ku caktonte Xhevati me shokë në mëngjes ishte i tëri i stolisur.
Po kush nuk ka lexuar nëpër rrugët tona, të komunave të Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës: “LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT”, “RROFTË KOSOVA REPUBLIKË”, “RROFTË POPULLI SHQIPTAR”, “RROFSHIN TË BURGOSURIT POLITIKË SHQIPTARË”, “POSHTË ARMIQTË DHE TRADHTARËT”, “JUGOSLLAVI NDALE TERRORIN MBI POPULLIN SHQIPTAR”, “RROFTË LPRK” etj..
Për çdo eveniment kombëtar, për të cilin vendimi vinte nga udhëheqja e lartë e Organizatës, se duhej vepruar, në konspiracion të thellë, dhe me shpejtësi të rrufeshme, Xhevat Qerimi, përfaqësuesi më i jashtëzakonshëm i ballit të ndritur të luftës për lirinë dhe çlirimin e pjesës së ndarë të kombit, si i vendosur e trim që ishte, me shumë shokë të organizuar dhe me shumë simpatizantë që kishte, jepte dhe bënte maksimumin dhe të pamundurën.
Anamorava, ku ilegalisht drejtoi dhe veproi deri në vdekje Xhevat Qerimi, ka qenë arenë e ndeshjes së dy kampeve, në njërën anë të atdhetarëve e patriotëve që përfaqësohej nga atdhetarë, patriotë e dëshmorë si Metush Krasniqi, Kadri Zeka, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu etj., dhe ana tjetër ajo e bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve të regjimit antishqiptar, që nuk ishte e madhe në numër por që kishin mbështetjen e tërë aparatit ushtarako-policor jugosllav-serb, që përfaqësohej nga tradhtari Rrahman Morina dhe soji i tij.
Paralajmërimi se do të vinte për vizitë në Kamenicë dhe do të parakalonte nëpër Gjilan, tradhtari Rrahman Morina, dhe vendimi i organizatës që të na dërgonin trakte, (këto trakte janë sjellë nga Prishtina në Gjilan nga Ahmet Aliu me makinën e tij), për të shpërndarë me rastin e vizitës së kolaboracionistit më të madh të të gjitha kohërave, na gëzoi pa masë ne të gjithë shokëve, por më së shumti Xhevat Qerimin.
Rrugët dhe sheshet ishin të mbushura me trakte e parulla liridashëse, thirrje demaskuese kundër armikut.
Pra këtë vizitë të atij plangprishuri, populli shqiptar e priti me rrugët dhe sheshet të mbushura nga ilegalët e LPRK-së, traktet ishin shpërndarë kudo në Gjilan e Viti me fshatra, por në territorin e Dardanës (Kamenicës) kishte më shumë ekzemplarë, pasi aty ishte edhe stacioni i fundit i kriminelit.
Këtë aksion në nivel rrethi e ka përcjellë me shumë përkushtim Xhevat Qerimi, shoqëruar nga anëtari tjetër i Këshillit të Rrethit të LPRK-së, Irfan Musmurati, merita kryesore është e tij dhe e anëtarëve e simpatizantëve të tjerë, për atë shpërndarje masive të trakteve në Kamenicë dhe fshatra.
Gazimestani është një ngjarje tjetër, të cilën ashtu si edhe shumë të tjerë edhe Xhevati e kishte përjetuar shumë rëndë.
Ardhjen e kryekriminelit Milosheviq, në Kosovë në mitingun më të madh antishqiptar të mbajtur, Xhevati me shokë e kishte pritur me rrugët dhe muret të mbushura me parulla antipushtuese e të tjera patriotike, ku dominonte ajo: “KOSOVA REPUBLIKË”.
Tani që kanë kaluar 27 nga vdekja tragjike aksidentale e njërit prej udhëheqësve më të dëshmuar të luftës për Çlirim, Liri e Pavarësi të Kosovës, dhe Kryetarit të Këshillit të Rrethit të LPRK-së së Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, e veçanërisht pas largimit të pushtuesve nga Kosova, dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vështirësitë që kishim ne atëherë, sot mund të duken jo edhe serioze, por ato për kohën ishin shumë të rënda.
Kishim vështirësi shumë të mëdha, por më shumë kishim vullnet dhe dëshirë për të ecur përpara me çdo kusht.
Për ta mbajtur të ndezur flakën e luftës për liri, për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve të kombit, madhështitë dhe vështirësitë organizative ishin nga më të ndryshmet!
Xhevati për të qenë në nivel maksimal të detyrës, kishte blerë, me paratë e tij, motor të madh, që aty ku nuk hynte vetura, hynte Xhevati me motor.
Me iniciativë të Xhevat Qerimit, vendosëm që më 2 nëntor 1990, në fshatin Llaushë, me rastin e përvjetorit dhe të zbulimit të pllakës madhështore përkujtimore të dëshmorit të kombit Fahri Fazliu, në emër të Këshillit të Rrethit të LPRK-së së Gjilanit ta lexonim telegramin përshëndetës, dhe atë telegram me propozim të Xhevatit e lexova unë Ismet Sylejmani.
Letra jonë u prit mjaft mirë nga populli dhe nga strukturat udhëheqëse të Organizatës.
Ishte kjo hera e parë që në Këshillin e Rrethit të LPRK-së së Gjilanit dilnim hapur dhe atë jashtë territorit ku vepronim, ishte nderë për neve që na mundësohej të paraqiteshim te varri i dëshmorit Fahri Fazliu.
Padyshim ishte ngjarje e madhe për këshillin dhe personalisht për mua.
Pas leximit të letrës, Xhevati më tha: Duhet të marrim masa, nëse ka dyshime nga ana jonë që do të arrestojnë, të kalosh në ilegalitet, por për fat të mirë nuk u hetuam, dhe vazhduam aktivitetin.
Në demonstratat e janar-shkurtit 1990 në Gjilan, qyteti kishte marrë një pamje që i bënte nderë padyshim kryeqendrës së Anamoravës.
Në rrugën nga më kryesoret, që çon nga qendra në drejtim të shkollave të mesme, të larta dhe Fakultetit të Edukimit, dhe që sot mban emrin 28 Nëntori, afër ish-ëmbëltores “Skënderbeu”, turma demonstruesish përlesheshin me forcat policore, Xhevati mu afrua dhe më tha: “…dëgjo shoq, atje te shtëpia e Rexhep Malës, me siguri se axha Mehmet dhe Hanifja janë duke dëgjuar se çka po ndodh, policia nuk i lejon të dalin më siguri, dhe aty ka roje se kush hyn dhe kush del nga ta, si thua a mund ta detyrojmë turmën të fillojë të brohorasë: “Rexhep Mala”, “Rexhep Mala…”, besoj se do ta mërzisim pak axhën Mehmet, por edhe do ta gëzojmë shumë, do të bindet se nuk harrohet Rexhep Malaj, se nxënësit e tij e vazhdojnë luftën…”, dhe populli demonstrues filloi aq fuqishëm sa oshtinte i tërë Gjilani nga brohoritjet e emrit të madh, të heroit Rexhep Malaj, Rexhep Malaj, Rexhep Malaj…
Rruga nga qendra e deri tek ish ëmbëltorja “Skënderbeu”, ku Xhevati i pari ka brohoritur: “Rexhep Mala”, “Rexhep Mala…” dhe disa metra më larg ia ka thyer xhamat e dritares restorantit “Jelen”, sepse nga ajo shtëpi që ishte një çerdhe kriminale, përgjoheshin shtëpitë e atdhetarëve të mëdhenj Rexhep Mala dhe Ilmi Ramadani!
Në lagjen Dardania (ish-Gavrani), që ishte bërë arenë e shprehjes së kërkesave popullore dhe përleshjesh me policinë pushtuese dhe veglat e tyre, për të treguar se demonstratat nuk ishin spontane, por udhëhiqeshin nga një dorë e sigurt organizative, me propozim të Xhevat Qerimit, u vendos të shkruhej një fjalë dhe të lexohej para masës që demonstronte.
Në shtëpinë e veprimtarit të njohur Fazli Abdullahut me makinën e tij të shkrimit, me Xhevat Qerimin, Izmi Zekën dhe unë (Ismet Sylejmani), e shkruajtëm fjalimin e shkurtër, dhe po me propozim të Xhevatit, propozim ashtu si edhe në rastin e fshatit Llaushë e pranova me kënaqësi dhe e lexova, masa e priti në mënyrë shumë entuziaste, kishte brohoritje dhe këngë nga të pranishmit, besoj se demonstruesve të asaj demonstrate u kujtohet ajo ngjarje shumë madhështore.
Në emër të LPRK-së u dërguam letër punëtorëve të Kombinatit të Tekstilit “Integj” të Gjilanit, kërkonim që ta kundërshtonin fuqishëm integrimin me “Jumken” e Vranjës kësaj tendence antishqiptare i printe një shovinist i madh Branko Zhigan.
Punëtorët e kanë mirëpritur këtë letër dhe e kanë kundërshtuar edhe më fuqishëm një proces të tillë, që do të ishte shumë i dëmshëm për ekonominë edhe ashtu të rrënuar të shqiptarëve të Kosovës.
Por kishim edhe ngjarje të hidhura.
Nga ngjarjet më të hidhura do të veçoja kur një nga shokët tanë na braktisi mbledhjen e Këshillit të Rrethit të LPRK-së me arsyen se ju jeni LPRK pa adresë dhe unë dua të jem me adresë.
Nga ky veprim i këtij anëtari, që nuk ishte pa ndikim, sepse vinte nga një familje e madhe atdhetare, na dolën shumë telashe.
Na i bllokoi shumë veprimtarë, duke u thënë se lëvizja u shpërbë apo u shkri në LDK, veprimtarë të cilët me shumë peripeci arritëm t’i afronim, pasi shumë nga ata edhe i njihnim, siç është rasti i patriotit dhe atdhetarit, ish të burgosurit politik, e njërit prej themeluesve të parë të UÇK-së në Gjilan dhe Anamoravë, Ahmet Demiri.
E vështirësi të tjera të shumta.
Flaka e Janarit ishte ide e Xhevat Qerimit.
Xhevati propozoi që në këtë muaj duhet të fillojmë të bëjmë diçka më shumë, dhe vendosëm që me rastin e përvjetorit të rënies së Rexhepit dhe Nuhiut, të organizonim diçka shumë spektakulare dhe e bëmë.
Xhevat Qerimi ishte kryetar i LPRK-së së Gjilanit, Vitisë dhe Kamenicës, dhe në janar të vitit 1991 shpërndamë 3 000 ekzemplarë ftesën për homazh të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.
Në fondin e këshillit i kishim 400 franga zvicerane.
Me ato 400 franga, te fotografisti Hoti në Prishtinë, i shumëzuam 3 000 ekzemplarët e ftesës dhe i sollëm e i shpërndamë në Gjilan.
Natën e parë ftesat i kemi vendosur në shtëpinë e veprimtarit të LPRK-së Nazim Zylfiu, shtëpia e të cilit ishte njëra nga bazat e ilegales.
Xhevati thoshte se duhet ta bëjmë në mënyrë të organizuar, dhe se manifestimet për këta viganë duhet të jenë popullore e madhështore, sepse ngrinim më lart moralin e popullit dhe i tregojmë armikut se nuk ka vend këtu.
Ky ka qenë evenimenti i parë që ka paraprirë Flakën e Janarit, dhe merita për këtë i takon në radhë të parë Xhevat Qerimit dhe bashkëveprimtarëve të tij…
Dekoratën e parë të nderit, “post mortum”, nga organizatorët e “Flakës së Janarit”, duhet t’i ndahej, ideatorit të parë të saj, Xhevat Qerimit.
Është histori më vete rasti i ftesës për homazh. Shpërndarja e ftesës u bë me përpikëri, u zbatuan të gjitha udhëzimet e dhëna, nuk u zu asnjë anëtar e simpatizant në aksion, ishte edhe një sukses i madh i ilegalëve.
Por na ndodhi diçka që nuk e kishim pritur, Dega e LDK-së në Gjilan, me kryetar Basri Musmuratin, natën, pas kryerjes së të gjitha përgatitjeve dhe pas stolisjes së varreve të dëshmorëve me flamuj kombëtar e kurora lulesh, doli me kumtesë në “Radio Zagreb”, në emisionin e gjuhës shqipe, në të cilin thuhej: “ Më 11 janar 1991 në Gjilan u gjetën afishe, të cilat bëjnë thirrje për ‘manifestim publik’ i cili mund të nxisë gjakderdhje, dhe e njoftojmë opinionin se LDK nuk qëndron pas tyre…”.
Shumë rëndë e kemi përjetuar këtë ngjarje, dhe më së shumti Xhevat Qerimi, i cili së bashku me Izja Rexhepin nga Mogilla e Vitisë dhe shokë të tjerë, natën kishte vendosur flamujt kombëtarë dhe kurorat mbi varret e heronjve Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, dhe nga një flamur kombëtar të vogël te varret e dëshmorëve të kombit Rexhep Elmazi, Agim Rashiti dhe Reshat Ymeri.
Xhevati ishte njëri nga udhëheqësit që ishte angazhuar me tërë qenien që përvjetori i heronjve të përkujtohej e të mbahej sa më masovikisht, të ishte popullor.
Dëshironim të fillonte e të bëhej praktikë që homazhet të zhvilloheshin aty ku pushonin eshtrat e shenjtë të heronjve.
Por mjerisht këtë nismë e pengoi LDK-ja, turpi u takon drejtuesve të saj, të cilët atëherë dhe sot kurrë nuk u skuqen për ato veprime të ndyra, ndonëse u detyruan të rreshtoheshin përsëri në radhët e UÇK-së, themeluese e të cilës ishte LPK-ja.
Organizatorët e një tubimi të mbajtur në Perlepnicë me rastin e përvjetorit të rënies së Rexhepit dhe Nuhiut, nuk lejuan të lexohej përshëndetja në emër të LPRK-së të nënshkruar nga Xhevati.
Gjithashtu në fshatin Përlepnicë në maj 1991 nuk lejuan të lexohej edhe një telegram ngushëllimi me rastin e përvjetorit të rënies heroike nga torturat në burg të heroit Zija Shemsiu.
Është me rëndësi të thuhet se telegramin për Zijahun, e kishte sjellë enkas nga Prishtina, sekretari politik i LPRK-së, ish i burgosuri politik, dhe i zhdukuri Xhavit Haziri.
Më kujtohet se ishte shumë i zhgënjyer Xhaviti, u larguam pas tubimit përkujtimor shumë të padisponuar.
Nuk ishin të rastit ato bllokada që i bëheshin LPRK-së!
Kurdoherë që vinte muaji janar, Xhevat Qerimi në mbledhjet përkujtimore dhe në takimet me shokë e me masat e gjera popullore thoshte: “Duhet të bëjmë diçka të veçantë në këtë muaj, sepse në këtë muaj kanë pushuar së rrahuri zemrat e shqiptarëve të mëdhenj që i kanë bashkuar shqiptarët.
Merrte shembull Skënderbeun, Jusufin, Kadriun dhe Bardhin, udhëheqësit e Partisë së Luftës së Kosovës, Rexhepin e Nuhiun!
Për dashurinë dhe respektin e madh që kishte ndaj figurës heroike të Rexhep Malës, Xhevat Qerimi, në shenjë respekti dhe që e dinte pothuaj përmendësh veprën: “SY ME SY ME BANDËN TITISTE NGA BEOGRADI, I PAARMATOSUR POR FITIMTAR ME DREJTËSINË NË ZEMËR-QËNDRESA”, e pagëzoi vajzën e tij të madhe me emrin Qëndresa.
Shumë e donte dhe e respektonte personalitetin e madh dhe të papërkulur të heroit Rexhep Malaj.
Kishte dëshirë të dëgjonte me natë dhe ditë për të, më kujtohet që kërkonte nga daja im, Shefqet Hoxha, që gjithmonë t’i fliste për Rexhepin, pasi daja e kishte pasur shumë shok të ngushtë e të familjes Rexhep Malajn.
Pasi e konsideronim detyrim kombëtar, patriotik liridashës, me Xhevatin shpesh e kemi vizituar shtëpinë e heroit legjendar të kombit Rexhep Malaj, dhe si gjithmonë aty na priste plaku i urtë, babai i mrekullueshëm i Rexhep dhe Hasan Malës-Axha Mehmet.
Axhës Mehmet në shenjë respekti e mirënjohje të thellë për burrërinë që tregonte dhe mikpritjen që ua bënte luftëtarëve të lirisë, por edhe për bujarinë e madhe që tregonte, na e madhështonte edhe më shumë figurën legjendare të kapedanit Rexhep Malaj, neve gjeneratës së re, që nuk e kishim njohur Rexhën, menduam t’i dhuronim diçka që e bën edhe më madhështore ambientin e konakut, ku priste e përcillte njerëz nga të gjitha anët e Kosovës dhe viseve të saj.
Ia dhuruam portretin e përmasave të mëdha të heroit kombëtar Mic Sokoli.
Portretin vendosëm ta dërgonte njëri prej shokëve të udhëheqjes së lartë të Këshillit të Rrethit të LPRK-së, Irfan Musmurati.
Më kujtohet që pas propozimit tim që bëra në Shtabin e Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së që atëherë e kishim selinë në fshatin Kishnapole, që selinë e shtabit me zbritjen tonë nga malet në qytet ta vendosim në shtëpinë e heroit Rexhep Malaj, natyrisht që komandanti i zonës Ahmet Isufi dhe anëtarët e tjerë të shtabit e mirëpritën dhe ashtu u bë, u vendos Komanda e Shtabit të Zonës në shtëpinë e Rexhep Malës.
Gjëja e parë që më ra në sy kur u futëm në shtëpinë e Rexhep Malës, së bashku me komandantin e Zonës Ahmet Isufin, ishte portreti gjigant i Mic Sokolit në konakun e lavdishëm të Mehmet Malës, dhe mendja menjëherë më shkoi te shoku im, Xhevat Qerimi, natyrisht se vetvetiu më doli një ofshamë e thellë, po të kishte qenë i gjallë Xhevat Qerimi, me siguri se do të ishim bashkë me të në shtab jo vetëm të zonës, e bashkë edhe në shtëpinë e Rexhep Malës!
Dashurinë e madhe dhe të pakufishme ndaj Atdheut dhe popullit shqiptar nuk e kishte të rastit, sepse ishte i një familjeje të dëgjuar për trimëri dhe bujari.
Babai i Xhevatit, Axha Basri, ishte nga të rrallët prindër që kur kthehej nga kurbeti për pushime në shtëpi, sillte edhe “Zërin e Kosovës”, pra kontaktin e parë Xhevati me literaturën atdhetare e ka pasur në moshë shumë të re, dhe drejtpërdrejt nga dora e të atit të tij. Që në moshë të re brumoset me ide atdhetare dhe nuk ishte e rastit dëshira për ta parë me çdo kusht atdheun të lirë e të çliruar nga zgjedha serbe.
Udhëheqësi politiko-ushtarak i LPRK-së për Anamoravë, ilegali e luftëtari i madh Xhevat Qerimi, ashtu edhe siç e meritonte, sepse tërë jetën e tij ishte angazhuar në përgatitjen për fillimin luftës së armatosur, rreshtohet përkrah emrave të mëdhenj të atyre që do t’i fillonin ushtrimet ushtarake në Shqipëri, për t’u rreshtuar e për të komanduar më vonë njësitet e para të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Xhevat Qerimi në misionin e shenjtë dhe të rrugëtimit të atdhetarit shqiptar, të luftëtarit të pakompromis e të përkushtuar, të patriotit të devotshëm për liri dhe çlirim përfundimtar të Kosovës dhe viseve të saj, në ushtrimet ushtarake në Shqipëri ishte me shumë shokë, në mesin e të cilëve ishte edhe komandanti i njohur Llapjan, që bëri histori me vete gjatë luftës së UÇK-së, heroi i kombit Zahir Pajaziti.
Vdekja tragjike dhe e parakohshme e Xhevat Qerimit ishte e kobshme dhe trishtuese, jo vetëm për familjen e tij të ngushtë, prindërit, fëmijët e bashkëshorten, vëllezërit e motrat, por edhe për farefisin e gjerë, ishte humbje jo vetëm për shokët dhe radhët e organizuara ilegale të LPRK-së, por ishte vdekje e dëmshme dhe humbje shumë e madhe dhe e pakompensuar e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po rritej e forcohej për çdo ditë.
Xhevat Qerimi që kishte bartur ndër të parët kallashnikovët e luftës për liri, që na ishin dhuruar nga Komiteti Drejtues i LPRK-së, konkretisht nga sekretari organizativ dhe njëri prej drejtuesve kryesor të ilegales në Kosovë, Ramadan Avdiu; Xhevat Qerimi që kishte marrë mësimet e para në kazermat ushtarake shqiptare të Shqipërisë për luftë çlirimtare, ngjashëm si dhe Komandanti Legjendar i UÇK-së, Adem Jashari e Koamandanti Zahir Pajaziti, e komandantë të tjerë, shumica e të cilëve tani heronj e dëshmorë të kombit; Xhevat Qerimi që kishte projektuar se si dhe ku do të zhvilloheshin betejat e para dhe nga ç’pozicione do të varej fati i luftës frontale, ku të sulmoheshin dhe ku t’u zihej prita forcave ushtarako-policore pushtuese serbe etj., etj., në kohën kur u zhvilluan betejat e shumta të lavdishme e heroike të luftës çlirimtare me emblemën e UÇK-së, Xhevat Qerimi nuk ishte i gjallë.
O Zot!
E kishte marrë vdekja atë burrë që nuk duhej ta merrte para luftës finale me pushtuesit serb.
Vdekja e parakohshme e kishte privuar nga e drejta sublime për të qenë jo vetëm Kryetar i Këshillit të Rrethit të LPRK-së, por edhe Komandant i Përgjithshëm i Zonës Operative të Karadakut dhe më shumë në hierarki komanduese ushtarako-politike.
Mungesa e Xhevat Qerimit gjatë luftës çlirimtare në Zonën Operative të Karadakut të UÇK-së në përgjithësi dhe në komunën e Vitisë në veçanti, u pa qartë.
Xhevat Qerimi pas vdekjes tragjike, që shumë shpesh thoshte se vdekjet në komunikacion ose jashtë frontit të luftës për liri pa u bërë realitet çlirimi i atdheut janë jo të denja për veprimtarët politikë e atdhetarët e përkushtuar, edhe në vdekjen e tij, larg luftës përballë armikut shekullor të popullit shqiptar, vdekja i erdhi në muajin janar, muaj për të cilin kishte një respekt dhe dhimbje të madhe.
Megjithatë të vdesësh në Janar, në muajin që kishte mbyllur sytë Gjergji legjendar, dhe një ditë përpara datës përkujtimore kur kishte rënë duke luftuar Rexhepi e Nuhiu, dhe ngjashëm në janar si Jusufi, Kadriu dhe Bardhi, kishte madhështi, ishte dinjitet dhe krenari, të cilat i meritonte në mënyrë absolute i madhi dhe i pavdekshmi Xhevat Qerimi.
Lirimi nga burgjet i të burgosurve politikë dhe vazhdimi i mbajtjes së tyre nëpër burgje, ishte një nga preokupimet tona të mëdha dhe permanente.
Patrioti e atdhetari, veprimtari i madh i çështjes kombëtare, ish i burgosuri politik Nazmi Hoxha, doli nga burgu.
Daljen e tij nga burgu e përjetuam me shumë gëzim, dhe meqë unë e kisha dajë, lidhja jonë ishte edhe më e ngushtë.
Xhevati duke e ditur se unë e doja shumë dhe duke qenë se Nazmi Hoxha ishte i dënuari kryesor i Grupit të Gjilanit, vendosëm t’i organizonim një pritje modeste.
Organizimi i darkës ku kënduam deri në orët e vona të mbrëmjes në shtëpinë e Nazmi Hoxhës, ishte vendim i Këshillit të Rrethit të LPRK-së, dhe si i tillë udhëhiqej nga Xhevati.
Xhevati i solli nga fshati Mrasor dhe Kralan i Gjakovës këngëtarët për të kënduar atë mbrëmje, këta këngëtarë kishin kënduar edhe në dasmën kur ishte martuar Xhevati.
Që nga kjo natë nga më të paharruarat ku kënduam e u gëzuam për lirimin e njërit prej të burgosurve politikë më në zë të Gjilanit, nis lidhja aq e thellë dhe e fortë e Xhevatit me Nazmi Hoxhën, të cilin unë e thirrja dajë, sepse edhe e kisha, por daja Nazmi filloi ta thërriste edhe Xhevati, e pothuaj të gjithë, me të cilin Xhevati lidhi një miqësi nga më të veçantat, të cilën të gjithë e dimë.
Gjithmonë kur bisedonim dhe përmendeshin familjet e dëshmorëve, Xhevati thoshte: Nëse vdesin para nesh apo nëse nuk gjendemi nëpër burgje, e kemi për obligim t’ua bëjmë varrimet madhështore, sidomos babait të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës.
Dhe kur mora lajmin se ndërroi jetë Axha Mehmet, gjëja e parë që më shkoi ndërmend, ishte si të bëj ndonjë veprim dhe të njoftohet opinioni, pasi ishte gjendje lufte, dhe të bëhej sa më masive pjesëmarrja në varrim të Mehmet Malës, që popullit dhe Atdheut, luftës për liri e çlirim ia kishte dhënë njërin prej kolosëve më të mëdhenj, birin e denjë të kombit- Rexhep Malaj!
Kontaktova me kryeredaktorin e gazetës së studentëve “Bota e Re”, me mikun e shokun tim Muhamet Mavraj, e luta që të mos e dërgonte në shtyp gazetën por ta vononte pak derisa ta dërgonim shkrimin.
Gjithashtu kontaktova edhe me njërin prej shokëve e bashkëveprimtarëve më të ngushtë, e ish të burgosurin politik Ilmi Ramadanin, kërkova të na siguronte një foto të Axhës Mehmet, e di se në redaksi të “Botës së Re”, e ka dërguar foton, bashkëshortja e Ilmiut, Teuta Hadri, veprimtare dhe luftëtare e devotshme e çështjes kombëtare.
Me njoftimin publik për vdekjen e babës së Rexhep Malës që doli të nesërmen, dhe thirrjes për pjesëmarrje në varrim, unë përmbusha një dëshirë dhe obligim të shokut tim Xhevat Qerimit, dhe bëra detyrën time, siç do ta bënte edhe më me madhështi e përkushtim Xhevati, po të ishte gjallë, ose të dy bashkë do të bënim edhe më shumë!
Veprimtaria e Xhevat Qerimit është shumë më e madhe dhe më e gjithanshme se e tërë kjo që u tha.
Por opinioni duhet ta dijë se Xhevati nën udhëheqjen e tij kishte shumë shokë e veprimtarë, të cilët më vonë u bënë emra të mëdhenj e të dëgjuar të luftës çlirimtare.
Opinioni duhet ta dijë se Xhevat Qerimi ka qenë udhëheqësi i Këshillit të Rrethit të LPRK-së të Vitisë, ku ka vepruar komandanti i lavdishëm i UÇPMB-së, dëshmori i kombit Nijazi Azemi-“Mjekra”.
Pra Xhevati ka qenë komandant i Komandantit të njohur “Mjekra”, statuja gjigande e të cilit është vendosur madhështore në sheshin qendror të Vitisë.
Lavdi e përjetshme dëshmorit të kombit Xhevat Qerimit!
Lavdi dëshmorëve të kombit!
P.S- Shkrimi është ribotim i shkrimit te botuar në gazetën “Epoka e re”, në muajin Janar 2009!